EKONOMI

MFK përmbyllë turneun informativ për garën Dig Data

Fondacioni i Mijëvjeçarit i Kosovës (MFK) sot përmbylli turneun informativ të garës ‘DigData’, që këtë vit fokusohet në të dhënat e kualitetit të ajrit. Sesionet informative në Ferizaj dhe Prishtinë mblodhën përfaqësues nga sektori privat, OJQ-të, inovatorë, profesionistë dhe studentë për të diskutuar qëllimin e granteve dhe procesin e aplikimit për këto grante. Me katër grante nga €50,000 do të shpërblehen zgjidhjet më inovative dhe kreative që përmirësojnë disponueshmërinë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave gjyqësore, mjedisore dhe të fuqisë së punës nga shoqëria civile, biznesi dhe qeveria, duke promovuar kështu vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat.

Petrit Selimi, kryeshef ekzekutiv në MFK, tha se kjo garë është një mënyrë e mirë e stimulimit të qasjes në të dhëna të hapura dhe të ndihmojë qytetarët të marrin vendime shtytëse që ndihmojnë në përmirësimin e kualitetit të ajrit.

Gentiana Mahmuti, specialiste për hapjen e të dhënave dhe qeverisje në MFK, shpjegoi se qëllimi i skemës së granteve është hapja e të dhënave të kualitetit të ajrit, qasja në këto të dhëna, si dhe përdorimi i tyre për të ndryshuar modelin e marrjes së vendimeve të bazuara në të dhëna kredibile të institucioneve të Kosovës, nga sektori privat, inovatorët, studentët, shoqëria civile dhe grupet tjera të interesit.  

Megi Pishtari, menaxhere për grante në MFK, prezantoi detajet e procesit të aplikimit për grante deri në 200,000 euro përmes propozimeve që adresojnë çështjen e përdorimit të të dhënave të kualitetit të ajrit – në kombinim me të dhëna tjera të shëndetit, ekonomisë, transportit, ndërtimit, apo të dhëna tjera – për t’i fuqizuar qytetarët e Kosovës që të marrin vendime të informuara nga të dhënat dhe të ndërmarrin veprime konstruktive personale dhe qytetare. Përvec katër granteve deri në 200,000 euro, MFK gjithashtu do të sigurojnë mentorim, rrjetëzim dhe promovim të fituesve të granteve.

Turneu informativ një javor në tetë komuna të Kosovës (Mitrovicë Jugore dhe Veriore, Gracanicë, Gjilan, Prizren, Pejë, Ferizaj dhe Prishtinë) u organizua në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare ARDA-RDA, me qëllim të rritjes së diversitetit lokal dhe pjesëmarrjes së minoriteteve në qasje në grante. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.