Show Biz

“Metallica” e shtyn turneun, sepse James Hetfield duhet të rehabilitohet për varësi nga alkooli

“Metallica” e ka shtyrë turneun e ardhshëm në Australi dhe Zelandë të Re pasi që këngëtari dhe bashkëthemeluesi i bendit, James Hetfield, duhet të shkojë përsëri në rehabilitim për varësi nga alkooli, raporton Sky News.

Ky bend amerikan i heavy metal duhej të performonte në Perth, Melbourne, Sydney, Brisbane dhe Auckland gjatë muajit si pjesë e turneut të tyre Worldwired.

Anëtarët e Metallicës, Lars Ulrich, Kirk Hammett dhe Robert Trujillo, e konfirmuan informacionin për anulimin e turneut në Twitter, ndërsa dihet që Hetfield ishte trajtuar qysh më herët për varësi nga alkooli disa herë, por pa sukses.

“Siç ndoshta e dini shumica prej jush, vëllai ynë James ka probleme me varësinë për shumë vite. Tani, për fat të keq, ai duhet t’i nënshtrohet përsëri programit të trajtimit për t’u rikuperuar. Ne gjithsesi synojmë të vijmë në pjesën tuaj të botës sapo ta na lejojnë këtë shëndeti dhe orari ynë.”, thuhet në Twitter.

Ata edhe njëherë theksojnë se janë të pikëlluar që i befasuan për të keq fansat e shumtë që kishin ndërmend ta vizitonin turneun, sidomos fansat e tyre më besnikë, të cilët shpesh udhëtojnë distanca të gjata për të marrë pjesë në koncertet e tyre, shkruan KOHA Ditore.

“E vlerësojmë mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj për Jamesin dhe, si gjithmonë, ju falënderojmë që jeni pjesë e familjes Metallica”, shtuan anëtarët e bendit.