Kosova

Meta: Shqipëria e Kosova s’mund të ekzistojnë pa të rinjtë, prandaj t’u japim mundësi ta krijojnë të ardhmen

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Kosova e Shqipëria s’mund të ekzistojnë pa shqiptarët e sidomos pa të rinjtë në vend.

Por përveç kësaj, ai ka thënë se objektivi strategjik i këtyre dy vende duhet të jetë krijimi i mundësive dhe shanseve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në këto vende.

Këto komente, Meta i ka bërë në facebook, pas takimit të sotëm që u mbajt në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ku drejtues të institucioneve u mblodhën për të falënderuar Shqipërinë për mikpritjen e ofruar gjatë luftës në Kosovë.

“Shqipëria dhe Kosova nuk mund të ekzistojnë pa shqiptarë, dhe sidomos pa të rinjtë dhe pa të rejat tona! Kjo është sfida më madhore kombëtare që kërkon urgjent bashkëpunim, zgjidhje afatgjatë e të qëndrueshme, dhe kthimin e shpresës për të gjithë shqiptarët!”, shkruan Meta.

Meta, tutje thotë “Jemi në kohën e duhur për të pasur një reflektim më të plotë, më të thellë e të përbashkët në këtë drejtim”.

“T’u krijojmë mundësitë dhe shanset të rinjve në Shqipëri, në Kosovë e kudo në rajon, ta shohin dhe ta ndërtojnë të ardhmen në trojet e tyre. Ky duhet të jetë objektivi ynë strategjik!”, përfundon Meta.