Kombëtare

Meta: Raporti i Qendrës Evropiane të Drogave, këmbanë e fortë alarmi!

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit vjetor të Qendrës Europiane të Drogave.

Kreu i shtetit shqiptar thekson se raporti është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të zgjojë dhe t’i bashkojë të gjitha forcat e përpjekjet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e këtij fenomeni kanceroz për shoqërinë.

Ndër të tjera presidenti Meta ka theksuar se lufta kundër kanabisit është kusht për integrimin europian dhe çdo neglizhencë në këtë drejtim do kishte pasoja tepër të rënda për të ardhmen e Shqipërisë.

Reagimi i plotë:

Përqendrimi i Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese në luftën kundër kanabisit është i domosdoshëm.

Raporti vjetor i Qendrës Europiane të Drogave i publikuar së fundmi, është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të zgjojë dhe t’i bashkojë të gjitha forcat e përpjekjet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e këtij fenomeni kanceroz për shoqërinë, që aq shumë e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Lufta kundër kanabisit është kusht për integrimin europian dhe çdo neglizhencë në këtë drejtim do kishte pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit.