Kombëtare

Meta nuk ndal sulmet ndaj Ramës: Po goditen mediat kritike të qeverisë, situata e lirisë së shtypit tepër alarmuese

Presidenti Ilir Meta ka vijuar dje sërish me sulmet e tij ndaj kryeministrit Edi Rama, ku këtë herë fokus ka qenë liria e medias. Qendra për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, që ka në fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian, në një raport të publikuar dje, ka ngritur alarmin për përkeqësimin e situatës së mediave në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit.

Presidenti Meta e ka shpërndarë këtë raport, duke u shprehur se faktet tronditëse të censurës janë alarmuese dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme. “Faktet tronditëse të censurës dhe presioneve në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me qeverinë, që po konstatohen çdo ditë dhe po denoncohen periodikisht nga organizata prestigjoze ndërkombëtare, janë tepër alarmuese dhe kërkojnë një përgjigje të menjëhershme. Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian, vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit”, ka shkruar presidenti Meta. Me anë të një postimi në Facebook, Meta ka shpërndarë raportin dhe ka theksuar se liria e medias ndodhet në rrezik. Më tej ai ka nënvizuar disa nga pjesët kryesore dhe më pikante të artikullit, ku vihet re se mediat shqiptare paraqiten në rrezik të mesëm. “Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet. Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale. Tepër alarmant është përfundimi se për sa i përket mbrojtjes themelore të pluralizmit, mediat shqiptare paraqiten në rrezik të mesëm, apo 53%, rreziku i pluralizmit të tregut mediatik klasifikohet tepër i lartë në 80%”, ka shkruar më tej presidenti.

Media në Shqipëri ka bërë regres

Presidenti ka mbajtur një qëndrim të gjatë në lidhje me raportin e djeshëm të Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, ku mes të tjerash vëren se media në Shqipëri ka bërë regres dhe sipas tij kjo është e patolerueshme.  “Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, i bërë publik në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij” ku theksohej se pasojat e rënda të fatkeqësive natyrore nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias; Qëndrimi i Departamentit Amerikan i Shtetit, ku ndër të tjera tërhiqej vëmendja se “veprimet e qeverive kundër epidemisë së COVID-19, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve”, konkluzionet e “Freedom House” dhe shqetësimet e bëra publike nga organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve, dëshmojnë se Shqipëria po shënon seriozisht hapa pas, përsa i përket lirisë së medias dhe transparencës. Ky regres është thellësisht shqetësues dhe i patolerueshëm”, ka shkruar Meta.

Presidenti u bën thirrje gazetarëve

Së fundmi, Meta u ka bërë thirrje gazetarëve që të vijojnë misionin e tyre pa u trembur. Po ashtu ai u ka bërë ftesë organizatave botërore që të monitorojnë me vëmendje situatën e medias në Shqipëri. “Inkurajoj gazetarët kritikë të vijojnë pa u trembur misionin e tyre, dhe i ftoj organizatat prestigjoze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri”, shkruan Meta.