Kosova

Meta: Me mohimin e Reçakut, Vuçiqi dëshmoi se s’është i sinqertë për pajtim

Sipas presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, mohimi i masakrës së Reçakut nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dëshmon që shteti i Serbisë s’është i sinqertë në rrugën për pajtim mes vendeve.

Ai ka komentuar edhe iniciativën e Mini-Schengenit ballkanik duke thënë se me deklarata të tilla si ajo e Vuçiqit për Reçakun e të tjera ndaj Kosovës nuk mund të ketë samite. Sipas tij, një iniciativë e tillë është më shumë e padobishme se e dobishme.

“Vuçiq është i mirëseardhur në Tiranë për të bashkëpunuar në të gjitha fushat me Serbinë edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Deklarata e tij për mohimin e masakrës së Reçakut dhe akuzave ndaj ish-ambasadorit të OSBE-së ishte tërësisht tronditëse sepse ne flasim për dialog ndërkohë ajo ndodhi është shumë provokuese për Kosovën, për shqiptarët e rajonin. Nëse mohohet sot Reçaku mund të mohohet edhe Srebrenica e hapet rruga që gjëra të tilla të përsëriten. Vullneti për pajtim detekton që s’është i sinqertë. Çka na duhen këto samite kur minojmë frymën e mirëbesimit. Mbajti fjalim e tha publikisht se Millosheviqi ishte udhëheqës i madh e për fat të keq s’i arriti qëllimet. E cili ishte qëllimi i tij? Pastrim etnik i Kosovës. Si mund të flitet për mirëbesim mes dy palëve kur deklarata të tilla bëhen në nivele të larta”, ka thënë Meta në Rubikon të KTV-së.

“Kjo iniciativë nuk është e mirë menduar, fakti që ka shumë mungesa e mbi të gjitha mungon Kosova e bën këtë iniciativë problematike. Nëse nuk i zgjidh problemet që ka krijuar, iniciativa e Mini-Schengenit është më shumë e padobishme sesa e dobishme”, ka shtuar ai.

Meta thotë se Shqipërisë nuk i takon të përfshihet në çështjen e shkëmbimit të territoreve

I vetmi kontribut që mund të japë Shqipëria në çështjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë është të mbështesë dialogun dhe bashkëpunimin e institucioneve për t’u unifikuar, sipas presidentit të Shqipërisë Ilir Meta.

Ai ka thënë se çdo përfshirje në tema të tilla konkrete s’do të ishte ndihmuese.

“Çdo përfshirje në tema konkrete e mënyra konkrete nuk besoj se do të ishte ndihmuese nga ana e Shqipërisë. Në bisedat që kam bërë me Ramën ka thënë gjithmonë se nuk ka qenë i përfshirë. Unë besoj se s’është detyrë e jona, e askujt, për t’u përfshirë në mënyrë konkrete në përgjegjësinë që i takojnë institucioneve të zgjedhura të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Meta thotë se ka shumë arsye pse s’ia dha besimin për ministër Gent Cakajt

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se ka pasur shumë arsye përse nuk ka mundur ta dekretonte Gent Cakajn ministër të Jashtëm të Shqipërisë.

Ai ka thënë se Cakaj s’ka qenë figurë e njohur mjaftueshëm për të marrë atë post dhe ka pasur qëndrim ndryshe për korrigjimin e kufijve në Kosovë.

“Unë nuk kam pasur asnjë paragjykim për asnjë ministër. Është e drejta e kryeministrit të caktojë ministrat, por është detyrë e presidentit të dekretojë ministrat. Kushtetuta s’ia ka dhënë kot të drejtën presidentit për dekretim. Përmes këtij procesi presidenti bën verifikim të figurës, kushteve, e cilësive e rrethanave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesit shtetëror. Nuk kam pasur asnjë paragjykim për Cakaj sepse nuk e kam njohur, nuk kam pasur njohje asnjë personale me të. I kam dhënë nënshtetësi me kërkesë të Qeverisë. Unë nuk kam pasur asnjë raport me të dhe ai nuk ka qenë figurë publike në Shqipëri. S’ishte aq sa për të qenë një figurë e njohur mjaftueshëm për të marrë besimin në atë moment. Ai nuk ka pasur qëndrim të njëjtë për çështjen e korrigjimit të kufijve. Është edhe çështje përvoje”, ka thënë fillimisht ai.

“Detyra e ministrit të jashtëm është shumë komplekse dhe një gabim mund t’i kushtojë shtetit shumë. Kanë qenë shumë faktorë që ma bënin të vështirë t’i jepja besimin tim për këtë detyrë zotëri Cakaj”, ka shtuar më tej Meta.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.