Kosova

Meta: E gabuar ideja për konfederatën Kosovë-Shqipëri

Mendim tepër të gabuar e ka cilësuar presidenti i Shqipërisë Ilir Meta idenë e konfederatës Kosovë–Shqipëri.

Sipas tij, aktualisht s’është koha që të hidhen ide të tilla.

“Ky është një mendim tepër i gabuar sepse nuk jemi në momente për të hedhur ide interesante apo për të shpalosur parafytyrimet tona sepse ne nuk jemi poet apo piktorë por jeni politikanë. Qëndrimet e tona mund të dëmtojnë pavarësinë e Kosovës. Kushdo që ka mendime të tilla e dëmton pavarësinë e Kosovës. Objektivi ynë është konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe e ardhmja e Kosovës në Bashkimin Evropian. Nëse ne themi që Kosova është shtet i sajuar që mund të bashkohet me Shqipërinë kjo do t’i largonte investuesit e huaj në atë shtet. Mund të jenë pa qëllim por pa dyshim që ide të tilla e dëmtojnë vendin”, ka deklaruar ai.

Meta për formimin e qeverisë: VV e LDK e plotësojnë njëra-tjetrën

Ilir Meta, presidenti i Shqipërisë, ka thënë në Rubikon të KTV-së se Vetëvendosje dhe LDK-ja janë dy forca komplementare dhe të domosdoshme për njëra-tjetrën për të qeverisur bashkë.

Duke folur për formimin e qeverisë ai ka thënë se të dy partitë e plotësojnë njëra-tjetrën në qeveri.

“E kam parë me shumë pozitivitet gjithë procesin nga dorëheqja e Ramush Haradinajt, si akt përgjegjshmërie e hapja e rrugës për zgjedhje. Ka pasur zgjedhje të konkurrueshme. Më mirë të jetë një marrëveshje sa më e plotë e cila vendos një besim solid për katër vitet e ardhshme. Shpresoj që të ketë rezultat pozitiv. Besoj se e kuptojnë përgjegjësinë për të formuar partneritet. Pesha e tyre do të jetë shumë e madhe. Do të duhet të merren vesh edhe me opozitën e ardhshme. Këto parti janë dy forca komplementare, në kuptimin që Lëvizja Vetëvendosje është një forcë e re me energji që s’ka qenë më parë në pushtet dhe ka shans që të jetë një shembull i mirëqeverisjes, por edhe LDK-ja është në anën tjetër një forcë me përvojë në udhëheqje prandaj janë dy forca komplementare dhe të domosdoshme për njëra-tjetrën”, ka deklaruar ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.