SPORT

“Messi duhet t’i bashkohet Realit për të dëshmuar se është më i miri në histori”

Ish-portieri i Boca Juniorsit, Hugo Gatti, beson se bashkëkombësi i tij Lionel Messi duhet të kalojë nga Barcelona te rivali i përbetuar, Real Madridi, për të dëshmuar se është më i miri në histori të futbollit.

Ai ka thënë se Messi, që të gjithë karrierën e ka kaluar te Barcelona, s’do të jetë në gjendje të garojë me Cristiano Ronaldon, Diego Maradonan e Pelen pa e dëshmuar veten edhe në ndonjë klub tjetër. Sipas Gattit, edhe mungesa e suksesit të Messit me Argjentinën është faktor i madh kundër tij.

“Ai duhet të kalojë te Reali e të dëshmojë gjithçka sikur që ka bërë Ronaldo. Përndryshe do të mbetet thjesht një tjetër lojtar. Cristiano kaloi në klubin më të mirë në botë. Messi luan në shtëpi, në fushën e tij me gjithçka (të rehatshme). Le të performojë në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Botës, përndryshe do të mbetet thjesht një tjetër lojtar. Kur ai të performojë aty, do të garojë me Johan Cruyffin, Diego Maradonan e Pelen”, ka thënë Gatti për “El Chiringuito de Jugones”.

“Messi luan kur e lejojnë të luajë. Është shumë e lehtë të performosh me gjithçka në favor tëndin në shtëpi”, ka shtuar ai.

32-vjeçari Messi ka fituar gjashtë Topa të Artë, duke realizuar 608 gola e duke asistuar në 247 raste në 695 paraqitje për Barcelonën në të gjitha garat, duke fituar Këpucën e Artë në La Ligë pesë herë e në Ligën e Kampionëve gjashtë herë. Me Barçën ka fituar dhjetë tituj të La Ligës, katër Liga të Kampionëve e gjashtë Kupa të Mbretit. Në tri finale me Argjentinën, një në Botëror e dy në Copa America, Messi ka pësuar po aq humbje. Për shtetin e tij ka shënuar 68 gola e ka asistuar 44 herë në 136 paraqitje.