Kosova

Mësohet dita ku do të dalin paratë për mësimdhënësit e viteve të 90-ta

Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, nga kjo javë pritet të marrin kompensimin ligjor.

Bahri Xhaferi, Drejtor i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka thënë për IndeksOnline se ata e kanë kryer punën e tyre dhe listat i kanë përcjellë në Ministrinë e Financave.

“Lista me rreth 9 500 emra është dërguar në Ministrinë e Financave të premten me një përmirësim të vogël. Shpresoj që këtë javë do të bëhet ekzekutimi i mjeteve nga ministria përkatëse”, ka thënë Xhaferi.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, ka thënë se nëse listat tani janë gati atëherë mjetet do të ekzekutohen sepse për këtë është ndarë edhe buxheti për vitin 2019.