Kosova

Mësimdhënësit nuk po bashkëpunojnë me nxënësit, po i lënë këta të fundit në mëshirën e video-incizimeve – ankohen prindërit

Prindërit kanë shprehur shqetësim se jo të gjithë mësimdhënësit po merren me nxënësit, duke i lënë në mëshirë të video-incizimeve që po shfaqen në televizionin publik.

Disa prindër i kanë thënë KOHËS se po hasin në vështirësi, meqë mësimdhënësit nuk po bashkëpunojnë sa duhet me fëmijët e tyre.

“Fëmija im po ka probleme në matematikë, i tregova mësuesit dhe më sugjeroi që me këtë të merrem unë si prind. Është shumë e vështirë për ne”, ka thënë ai në kushte anonimiteti. Megjithatë, ka edhe mësimdhënës që edhe nga shtëpia po e vazhdojnë punën, duke iu ndihmuar nxënësve në procesin mësimor nga distanca. Mësimdhënësja e shkollës “Ismail Qemaili”, në Prishtinë, Filloreta Mustafa-Dermaku tash e disa ditë po e vazhdon punën e saj duke i ndihmuar nxënësit e saj të klasës së dytë.

Përmes programit “Zoom”, ajo lidhet çdo ditë me nxënësit e saj për t’iu dhënë përgjigje kërkesave të tyre e duke i ndihmuar në mësimet që po transmetohen në RTK. Këtë mënyrë komunikimi ua ka rekomanduar edhe kolegëve të saj, pasi, siç thotë, nuk mjafton vetëm mësimi nga televizori pa ndihmën e mësuesve.

“Ne i ndjekim vazhdimisht mësimet online përmes RTK-së pastaj i plotësojmë përmes aplikacionit ‘zoom’ me ato që kanë nevojë. Është një iniciativë mjaft e mirë dhe mua po me ndihmon shumë, edhe për nxënësit ka qenë shumë e mirëpritur. Dita e parë mendova që ka me qenë vështirë, por po kalon për mrekulli, patjetër duhet edhe bashkëpunimi i prindërve”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka treguar se çdo ditë pas përfundimit të mësimit që po shfaqet në RTK konsultohet me prindërit e më pas lidhen përmes këtij programi për të diskutuar. Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i ka ftuar mësimdhënësit ta kryejnë detyrën me përgjegjësi, duke e vazhduar komunikimin me nxënësit rreth procesit mësimor.

“Mësimdhënësit duhet ta kuptojnë se janë në marrëdhënie pune, duhet ta kuptojnë se nuk janë në pushim, por janë të përfshirë në mësimin elektronik që organizon ose mban Ministria e Arsimit. Mësimdhënësit janë të obliguar që bashkërisht me nxënësit e tyre përmes rrjeteve elektronike të bashkëpunojnë, të shpjegojnë dhe t’i japin të gjitha sqarimet që kanë nevojë nxënësit, gjithashtu t’i bëjnë edhe vlerësimet, sepse në fund do të ketë proces të notimit”, ka deklaruar Reshiti./Koha