Kosova

Mësimdhënësit kërkojnë zbatimin e kontratave kolektive, komunat ankohen se s’kanë buxhet

Komuna e Malishevës është në proces gjyqësor me mbi 200 mësimdhënës. Ata po kërkojnë zbatimin e Kontratës kolektive për pagesën e shujtës dhe të udhëtimit. Mirëpo, sipas drejtorit të Arsimit në Malishevë, nuk ka buxhet të ndarë për këtë çështje.

Madje, drejtori i Arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi thotë se nëse gjykata vendos në favor të mësimdhënësve ata detyrohen t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e, kështu, Komuna e Malishevës do të ketë probleme, raporton KTV.

Në të njëjtën gjendje është edhe Komuna e Podujevës. Sipas drejtorit të Arsimit të kësaj komune, Agim Blakçori, ata nuk mund të paguajnë asnjë shpenzim për shkak të mungesës së buxhetit.

E gjithë kjo situatë u krijua për shkak që Ministria e Financave nuk ka ndarë buxhet shtesë për këtë kategori.

Por, kjo ministri po e akuzon MAShT-in që ka marrë përsipër obligime që nuk i takojnë.

Në një përgjigje të MF-së, thuhet se kontratat kolektive duhet të nënshkruhen nga Ministria e linjës, pas konsultimeve me ta, e jo siç është bërë më 2017-n, ku MAShT-i ka nënshkruar kontratë pa u konsultuar me komunat.

“Ajo çfarë duhet thënë është se Kontrata kolektive, në të ardhmen, duhet të nënshkruhet nga ministria e linjës, pas analizimit të mundësive buxhetore dhe konsultimit paraprak me Ministrinë e Financave dhe me komunat, kjo për t’u siguruar se ka mbulesë buxhetore një kontratë e tillë, e jo siç është vepruar me 2017, kur Ministria e linjës, duke nënshkruar kontratën me Sindikatën, ka marrë obligime në emër të komunave, pa u konsultuar fare me to, për çfarë ka reaguar edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të MF-së.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit se si planifikon të gjejë zgjidhje, si nënshkruese e kësaj marrëveshjeje.

Mirëpo, sipas Sindikatës së Bashkuar për Arsim, mësimdhënësit vetëm po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Kontrata kolektive u nënshkrua në vitin 2017 mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut. Sipas kësaj kontrate, punëtorëve të arsimit u paguhen nga komunat përkatëse të gjitha shpenzimet që lidhen me punën e tyre. Por, që nga ajo kohë, asnjë mësimdhënësi nuk i janë hequr këto shpenzime.

https://youtu.be/nqwNa8b9yOc

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.