Kosova

Mësimdhënësit ende në grevë, nuk ka plotësim të kërkesave

Këshilli Qendror Grevist i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka plotësim të kërkesave të mësimdhënësve dhe se greva po vazhdon në të gjitha nivelet arsimore.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se ka lëvizje dhe angazhime të shtuara nga institucionet e vendit, por nuk ka ndonjë ofertë konkrete që do të mundësonte ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve.

“Ka angazhime nga institucionet e vendit, por ofertat e tyre janë të padefinuara dhe nuk ka përafrim me kërkesat tona. Ne i kemi bërë të ditur se qëndrimi i të punësuarve në arsim, minimumi i kërkesës sonë është ngritja e koeficientit në tërë sistemin arsimor në 30 për qind. Ne do të vazhdojmë grevën me këmbëngulësi deri në realizmin e kërkesës sonë”, tha Jasharaj.

Koeficienti i mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm aktualisht, sipas SBAShK-ut, është 2 deri në 2.3 me pagë mesatare nga 420 deri në 440 euro, kurse kërkohet që ky koeficient të rritet në 2.6 respektivisht 3, që i bie paga të arrijë në rreth 650 euro.

Këshilli Qendror Grevist i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, gjatë ditës së sotme kanë vizituar mësimdhënësit grevistë në disa komuna të Kosovës.

Si pasojë e grevës, procesi mësimor nga e hëna është ndërprerë në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit para-universitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve. Ndërkaq numri i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.