SPORT

Mesfushori i Leipzigut akuzohet për përdhunim

Mesfushori austriak i Leipzigut, Stefan Ilsanker, është nën hetime shkaku i një akuze për përdhunim. Këtë lajm e ka konfirmuar një zëdhënës i Prokurorisë së Salzburgut të enjten.

E përditshmja austriake, Salzburger Nachrichten, raportoi se një grua 26-vjeçare e kishte denoncuar Stefan Ilsankerin, duke thënë se futbollisti 30-vjeçar e kishte përdhunuar atë në një festë në një apartament në qytetin e Salzburgut.

“Zyra e Prokurorisë së Salzburgut e ka angazhuar policinë kriminale për ta hetuar rastin”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Christoph Rother, në një intervistë të dhënë për SID.

Ai nuk pranoi të jepte detaje të tjera lidhur me rastin në fjalë.

Avokati i Ilsankerit i ka mohuar pretendimet, duke thënë për revistën austriake Krone se disa gjëra në rrëfimin e gruas nuk ishin në përputhje me njëra-tjetrën.

Ilsanker raportohet se gjithashtu i ka mohuar prentedimet e 26-vjeçares në një deklaratë të dhënë për Federatën e Futbollit të Austrisë.

Klubi i Bundesligës që aktualisht është lider i tabelës, Leipzigu, nuk e ka komentuar ende këtë lajm.