LAJMET

“Merru me komunën tënde”, përplasen Ahmeti e Bahtiri

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe ai i komunës së Mitrovicës janë përplasur dje në rrjete sociale lidhur me masat e reja të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ka mjaftuar një postim i kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, se komuna e tij do të mbetet në zonën e verdhë edhe për një javë, që të nxitet një përplasje me të parin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, reagoi ndaj një njoftimit të Bahtirit pas një takimi që ky i fundit pati me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Bahtiri kishte shkruar në Facebook se ka kundërshtuar vendosjen e Mitrovicës në zonën e kuqe të komunave, bazuar në vendimin e ri të Qeverisë për masat ndaj koronavirusit, duke thënë se këtë e ka arsyetuar me shifra të sakta.

Mitrovica konsiderohej ndër komunat në zonë të kuqe, sipas vendimit të së mërkurës nga Qeveria e Kosovës. Kjo zonë alarmi përfshin komunat ku numri i rasteve të reja me koronavirus kalon 150-shin brenda javës në 100 mijë banorë. Aty është edhe Prishtina e kryetari i saj, Ahmeti, është ankuar vazhdimisht duke e konsideruar si kriter të pabarabartë, duke thënë se në kryeqytet kryhen shumë më shumë testime dhe ka më shumë banorë.

“Sa i përket masave të vendosura nga Qeveria lidhur me vendosjen e Komunës së Mitrovicës në zonë të kuqe, unë shpreha kundërshtimin tim edhe në këtë takim, duke e arsyetuar me shifra të sakta të personave të prekur në qytetin tonë të marra çdo ditë nga IKSHJPK-ja, dhe pas këtyre informatave të detajuara dhe të argumentuara, ministri Zemaj është̈ akorduar që të përgatitet vendimi për qytetin e Mitrovicës që këtë javë të vazhdojë të jetë në zonën e verdhë, i cili presim të publikohet nesër”, ka shkruar Bahtiri fillimisht në Facebook.

Ai në këtë postim ka kërkuar që qytetarët të respektojnë masat në mënyrë që të parandalohet futja në zonën e kuqe ku masat janë më të rrepta.

Shkrimin e Bahtirit e ka komentuar Ahmeti. Ai ka thënë se vendimi që Mitrovica të mbetet në zonën e verdhë tregon se masat janë “çështje negociatash dhe bindjesh”.

“Mitrovica e Jugut është në zonën e kuqe por pas takimit të kryetarit Bahtiri me Ministrin Zemaj janë dakorduar që edhe këtë javë të mbetet e verdhë sepse sipas Bahtirit “e kemi bind që nuk duhet të jemi në zonën e kuqe”. D.m.th çështje negociatash dhe bindjesh! P.S. Urime Mitrovicë” ka shkruar Ahmeti.

E, disa orë më pas, Bahtiri e ka këshilluar Ahmetin “që të merret me punët e komunës së tij, sepse nuk i takon me u marrë me komunën e Mitrovicës, pasi që mitrovicasit kanë kryetarin e tyre që kujdeset për ta”.

“Ai është mirë që të merret me komunën e tij, e cila është ngulfatur nga rastet me të infektuar me COVID-19. Kryeqyteti në rrethana normale duhet të jetë shembull për menaxhim të punëve komunale, por si duket kryetari Ahmeti ka tjera prioritete!” ka shkruar Bahtiri.

Reagimit të Bahtirit, Ahmeti i është përgjigjur me postimin e simbolit të zemrës.

Të enjten, Qeveria zyrtarizoi masat që do të hyjnë në fuqi nga e premtja. Sipas masave që do të hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe nëntë komuna të tjera të Kosovës, nga ora 19:00 deri në orën 05:00 do të ketë kufizim të lëvizjes.

Kurse aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën “zonë” të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna.

Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër që ka rrezikshmërinë më të ulët. Komunat në “zonën e kuqe” janë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica e Jugut, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.