Rajoni

Merkeli prezanton planin për ta marrë nën kontroll menaxhimin e pandemisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po planifikon që ta marrë kontrollin ndaj menaxhimit të situatës me pandeminë e koronavirusit nga rajonet federale për të pasur të drejtë që të vendosë masa kufizuese në zonat me numër të lartë të infeksioneve.

Ky plan erdhi në kohën kur shefi i institutit për sëmundje ngjitëse në Gjermani tha se vendi ka nevojë për një izolim prej dy deri në katër javë për ta parandaluar stërmbushjen e spitaleve me pacientë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Gjermania është në mesin e një vale të tretë, prandaj qeveria federale dhe shtetet (rajonet) janë pajtuar që ta plotësojnë legjislacionin kombëtar”, tha një zëdhënëse e qeverisë gjermane të premten.

“Qëllimi këtu është që të krijohen rregulla kombëtare të përbashkëta”, shtoi ajo, duke sqaruar se ndryshimi I ligjit për pandemic mund të vendoset për diskutim në kabinet të martën e javës së ardhshme.

Sipas raportimeve në mediet gjermane, projektligji i ri do ta lejonte qeverinë qendrore që të vendosë orë policore natën, të mbyllë dyqane dhe të vendosë rregulla të rrepta për testim për biznese në rajonet që regjistrojnë mbi 100 raste të reja për 100 mijë banorë për një periudhë prej shtatë ditësh.

Në bazë të legjislacionit të tanishëm, rajonet gjermane kanë të drejtë të vendosin vetë se si t’i interpretojnë kërkesat e mekanizmit emergjent të qeverisë qendrore. Javët e fundit, Merkeli vazhdimisht ka shprehur zemërim ndaj kryeministrave rajonalë që në mënyrë të njëanshme I kanë lehtësuar masat kufizuese pavarësisht rritjes së numrit të infeksioneve.