Bota

Merkeli godet populistët që e quajnë virusin të padëmshëm

Populistët që argumentojnë se koronavirusi është i padëmshëm janë të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm, ka thënë të enjten kancelarja gjermane Angela Merkel, duke e mbrojtur vendimin e saj për rikthimin e izolimit me qëllim të ngadalësimit të përhapjes së virusit.

“Ndodhemi në një situatë dramatike me fillimin e stinës së ftohtë. Kjo na godet të gjithëve, pa përjashtim”, ka thënë ajo para Bundestagut gjerman, duke shtuar se kufizimet e reja për reduktimikin e kontakteve shoqërore janë “të domosdoshme dhe proporcionale”.

Teksa zgjedhjet në Gjermani janë më pak se një vit larg, Merkeli është e interesuar që t’i mbajë gjermanët të sigurt, përkundër rrezikur nga një goditje e re për ekonominë më të madhe të Evropës. Ajo ka thënë se populistët që e vënë në pikëpyetje seriozitetin e krizës, po i vënë jetët në rrezik, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.

“Rrenat dhe dezinformatat, teoritë e konspiracionit dhe urrejtja dëmtojnë jo vetëm debatin demokratik, por edhe betejën kundër virusit”, ka thënë ajo në fjalimin gjatë të cilit është ndërprerë disa herë nga ligjvënësit e “Alternativës për Gjermaninë” të së djathtës ekstreme.

Kritika më e ashpër për kufizimet e fundit është adresuar nga sektorët që janë goditur më së rëndi, si hotelieria dhe gastronomia. Por në nivel më të rëndë, ligjvënësit e AfD-së kanë shprehur zemërim për atë që e shohin si cungim historik të lirisë.

“Bombardimi ditor me numrat e të infektuarve është qartazi i destinuar për t’i frikësuar njerëzit, pasi që shumica nuk e shohin COVID-in në jetët e tyre të përditshme”, ka thënë shefi i nderit i AfD-së, Alexander Gauland. “Në emër të shëndetit të qytetarëve, (qeveria) ka vendosur për kufizimet më të rënda të lirisë në historinë e kësaj republike”, ka thënë ai.

Gjermania, e lavdëruar kudo për menaxhimin e saj me valën e parë të pandemisë, është goditur bashkë me pjesën tjetër të Evropës nga vala e dytë që ka shkaktuar ngritje enorme të numrit të rasteve të infektimit dhe të vdekjeve nga COVID-19.

“Dimri do të jetë i zorshëm – katër muaj të gjatë e të zorshëm – por do të marrë fund”, ka thënë Merkel.

Ndërkaq krahu i Organizatës Botërore e Shëndetësisë për Evropë ka njoftuar të enjten se izolimet mbarëkombëtare, si ato të zbatuara gjatë së mërkurës në Francë e Gjermani, duhet të trajtohen si një “opsion i fundit” në luftën ndaj pandemisë.