SPORT

Mërgjyshi: Kam luftëtarë, s’dalim pa pikë nga Korça

Artan Mërgjyshi kërkon “kokën” e Skënderbeun. Edhe pse Laçi ka që në 2014-ën pa fituar në Korçë, trajneri i Laçit është i bindur se skuadra e tij do i thyejë këto statistika. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i kurbinasve i bën skanerin ecurisë në 180 minutat e para, por nuk ngurron që të flasë edhe për merkaton, ndërsa rrëfen se në orët e fundit pret një lojtar për linjën e majtë.

mergjyshi

4 pikë në 180 minuta, e priste një start kaq pozitiv Mërgjyshi?

Jam i kënaqur për pikët, sepse na japin realisht qetësi për të rregulluar gabimet e shfaqura në ndeshjet e para. Duhet ta pranoj se kam gjetur një skuadër të mirëstërvitur dhe me gjendje optimale fizike. Ky grup ka karakter dhe nuk dorëzohet. Çunat janë “luftëtarë”, të vërtetë, kanë entuziazëm dhe dëshirë për të shkuar aty ku ne presim të shkojmë.

Laçi ka që në 2014-ën që nuk fiton në Korçë, a u trembeni statistikave?

Statistikat nuk i vendosin ndeshjet, pastaj një herë do thyhen. E rëndësishme është që po kalojmë një moment të mirë psikologjik dhe fakti që kemi luajtur para 3 javësh me këtë kundërshtar, na ka ndihmuar. Këto elemente do i shfrytëzojmë, por duke pasur respektin maksimal për korçarët, forcën që ata kanë, pasi janë më të mirët e këtij kampionati. Por ne i kemi marrë masat tona dhe jemi të bindur se do të kemi shanse në këto ndeshje. Këto janë takime delikate, që vendosen nga episodet. Duhet të kemi kujdes dhe të mos përsërisim finalen e Superkupës, ku përtej lojës së mirë, episodet i patëm kundër.

Këtë herë prisni fitore apo do i kënaqeni edhe barazimit?

Të tilla ndeshje i kanë të tri rezultatet brenda. I kënaqur do të isha me një pikë, por mund ta them me bindje se ne udhëtojmë vetëm për të dhënë maksimumin.

Ekip “fotokopje” në dy ndeshje, por nesër (sot) do të ndryshoni diçka në formacion?

Kur thashë më lart që u kënaqem pikëve, nuk evidentova se i morëm me një organikë të cunguar. Katër të huajt që janë blerë në merkato nuk kanë qenë të gatshëm për çështje dokumentacioni. Të paktën tani kemi do i kemi gati, pasi kanë marrë OK-in. Do të jenë pjesë e 18-shes, megjithatë ende nuk janë në gjendjen optimale për ta nisur si titullarë, por në varësi të lojës mund të marrin minuta. Por, të paktën do të kemi më shumë alternativa, nuk do jem më i kushtëzuar në zgjedhje.

form

Dhe cilët janë të huajt që do i keni gati në Korçë?

Qendërmbrojtësi kilian Sebastian Toro dhe sulmuesi kroat Marjan Altiparmakovski. Sa i përket merkatos, do të kemi surpriza në orët e fundit? Kemi dëshirë të afrojmë një lojtar për krahun e majtë, pasi nuk kemi shumë opsione. Jemi në tratativa.

Objektivi i Laçit cili është, Europa?

Për të qenë i sinqertë, nuk kemi objektiv të paracaktuar, por duke parë performancën dhe egon që ky grup ka, dhe mbi të gjitha dëshirën e presidentit, Laçi do të shohë gjithnjë për lart./