OPINION

Mendohu dhe reflekto, pastaj voto!

Shkruan: Florim ZEQA
Pas parafushatës përçarëse dhe provokative një mujore dhe fushatës së zhurmshme dhe shurdhuese 10 ditore të partive politike, pas premtimeve megalomane të politikanëve, pas debateve terrorizuese dhe sondazheve të fabrikuara televizive, radha u erdhi qytetarëve dinjitoz të Republikës së Kosovës, që të vendosin për fatin e tyre dhe të ardhmen e vendit.

Dilema e votës së lirë

Qytetarë të Republikës së Kosovës, lektorët besnik i partive politike, premtimet dhe deklaratat që i keni dëgjuar gjatë fushatës zgjedhore janë pak të besueshme, për shkak të mungesës së sinqeritetit të liderëve partiakë dhe pafuqisë së realizimit të tyre, pra janë vetëm retorikë boshe zgjedhore sa për t’ua grabitur votën e asgjë më shumë. 

Politika është art i së mundshmes e cila bazohet në gënjeshtra, mashtrime, marrëzi, urrejtje dhe skizofreni. Gjuha e politikanëve mashtruese dhe të korruptuar plot gënjeshtra dhe hipokrizi gjatë 10 ditëve të fushatës tingëlloi si gramafon i prishur.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit apo ‘Shën Votimit’, duke e ndjerë rrezikun e mbetjes në pushtet të klasës sa të inkriminuar dhe ardhjes në pushtet të klasës së ricikluar politik, të mashtruesve të mbështjellë nën petkun e shpëtimtarëve, shtohet dilema e votës së lirë!

Qytetarët e Kosovës në mungesë të një alternative të re politike, e kanë dilemën e madhe për t’i votuar të njëjtat figurat politike, e lërë më t’u besojnë tutje të njëjtave parti politike, pushtet dhe opozitë pa dallim, të njëjtëve liderë partiakë që për 2 dekada nuk u përkujdesen për mirëqenien e qytetarëve, por vetëm për rrëmbimin e pushtetit dhe zhvatjen e shtetit.

10 ditët e gjata, të “mrekullive” të mëdha

Pas 10 ditëve të gjata të “mrekullive” të mëdha, më 14 Shkurt maten forcat e subjekteve politike, të nesërmen me 15 Shkurt do të fillojnë pazaret politike për pushtet, me ç’rast liderët partiakë do t’i harrojnë tërësisht premtimet e dhëna gjatë fushatës!                  

Qytetar të dashur të vendit tim, më 14 Shkurt, ditën e të dashuruarve e keni një mundësi të mirë që ta ndëshkoni me votë këtë klasë mashtruesish politikë që luajnë paturpësisht me ndjenjat e juaja.

Kosova është vendi i vetëm në rajon e ndoshta edhe në botë, ku politikanët milionerë i blejnë më së liri votat dhe shesin më së shtrenjti premtimet e tyre.

Si zakonisht çmimin e mashtrimeve të tyre e paguan popullata e varfër,.. që do të mbetët sërish duke pritur deri në zgjedhjet e radhës pa e shijuar fare aromën e mrekullisë së premtuar.

Qytetar të dashur të Republikës së Kosovës, mesazhi i këtij shkrimi është i qartë dhe i sinqertë, mos bini pre e premtimeve boshe të politikanëve mashtrues,…vëni gishtin kokës dhe mendoni mirë para se të votoni. 

Vota e juaj me 14 Shkurt është e shenjtë dhe vlen pak më shumë se; 20, 50 apo 100 euro. Pra vota e juaj vlen më shumë se një vend pune, vota e juaj vlen më shumë se çdo interes personal, vota e juaj e ka vlerën e artë të veriut të vendit, i cili rrezikon të humbet nga procesi negociatorë me Serbinë.

Vota e juaj nesër është votë që determinon të ardhmen e shtetit dhe fatin tonë të përbashkët. 

Me votë largojeni klasën e inkriminuar politike

Qytetarë të vendit tim, është në dorën e juaj që nesër ta zgjidhni një përbërje të re deputetëve që mund të përfaqësojnë denjësisht interesat e juaja në Parlamentin e Kosovës. 

Nga këtu, shfrytëzoj nga rasti, që edhe një herë t’iu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit tim, mos votoni sy mbyllur, por hapni sy e vesh, kthjellni mirë mendjen para se të votoni.

Politikanët e korruptuar janë kudo dhe në të gjitha listat zgjedhore. Elektorati e ka shansin historik që t’i largoi me votë abuzuesit e pushtetit, të lidhur me nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendin tonë.

Politikanët e inkriminuar dhe mashtruesit, aty ku i ndanë pushteti qendror, i bashkon ai lokal, i bashkojnë bizneset dhe punët e pista në zhvatjen e buxhetit dhe plaçkitjen e qytetarëve (mërgimtarëve).

Mundësia më e mirë për arritjen e ndryshimit në skenën parlamentare dhe ndëshkimin e politikanëve mashtrues dhe të korruptuar, është vota për kandidatët e rinj për deputet, të pastër e të padjallëzuar që mbrojnë me përkushtim  interesin e shtetit dhe të drejtat e juaja në veçanti.

Qytetarë të dashur të vendit tim, elektorat i respektuar i të gjitha partive politike mendohuni mirë dhe reflektoni thellë para se të votoni.

Çdo vend e ka qeverinë që e meriton, të tillë do ta kemi edhe ne pas “shën votimit” më 14 Shkurt 2021!

Zoti e bekoftë vullnetin e qytetarëve të vendit tim!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti i bekoftë miqtë tonë!