Bota

Meksika padit prodhuesit e armëve në ShBA, u kërkon miliarda: I keni furnizuar kartelet e drogës

Meksika i paditi disa prodhues amerikanë të armëve në një gjykatë federale në ShBA të mërkurën, duke i akuzuar për praktika të pamatura të tregtisë, me të cilat pretendoi se janë dhënë ilegalisht armë për kartelet meksikane të drogës, duke shkaktuar mijëra vdekje.

Në padi thuhet se njësitë e prodhuesve “Smith & Wesson”, “Barrett Firearms”, “Colt’s Manufacturing Company”, “Glock Inc”, “Sturm”, “Ruger & Co” dhe kompani të tjera e dinin se praktikat e tyre tregtare e kishin nxitur trafikimin ilegal të armëve në Meksikë. Përmes padisë kërkohen 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Padia i përmend armët që ishin futur në Meksikë e që ishin përdorur në të shtëna, duke theksuar se arma “Emiliano Zapata 1911” e kalibrit 38-milimetërsh e ka të gravuar imazhin e revolucionarit meksikan.

Kompanitë amerikane nuk u përgjigjën menjëherë ndaj kërkesave për komentim të padisë, shkruan Reuters.

Megjithatë, Shoqata e Sporteve të Qitjes në ShBA tha se i kundërshton pretendimet e Meksikës se prodhuesit amerikanë kanë qenë neglizhentë në praktikat e tyre tregtare.

“Qeveria meksikane është përgjegjëse për krimin dhe korrupsionin e shfrenuar brenda kufijve të tyre”, tha nënkryetari i kësaj shoqate, Lawrence Keane. Sipas tij, kartelet meksikane të drogës përdorin armë të dërguara ilegalisht në Meksikë ose të vjedhura nga ushtria meksikane e forcat e sundimit të ligjit.