Mediat gjermane, jehonë Shqipërisë: Eksploroni mrekullitë e saj natyrore

Një udhëtim në Shqipëri është veçanërisht i vlefshëm për të eksploruar peizazhin e bukur të këtij vendi ballkanik.

ReiseReporter” një nga mediat më të njohura për turizmin në Gjermani i ka bërë jehonë Shqipërisë me një reportazh të veçantë.

Në shkrim thuhet se Shqipëria ofron eksperienca të pazakonta për pushime në natyrë pasi ka malet, pyjet, kanionet dhe plazhet e mrekullueshme.

Për lexuesit renditen edhe 7 vendet që nuk duhen humbur duke vënë në vend të parë, alpet të cilat i konsideron si mrekullia më e famshme e natyrës.

Thethi, Jezerca, lugina e Valbonës apo shpellat e Bogës janë vende që nuk duhen lënë pa u eksploruar.

Një tjetër destinacion në veri është liqeni i Komanit ndërsa në jug theksi vihet tek Parku Kombëtar i Llogarasë që konsiderohet me natyrë unike.

Për Luginën e Vjosës thuhet se është një mrekulli natyrore, një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë dhe u shpall park kombëtar në vitin 2023. Syri i kaltër citohet si një nga mrekullitë natyrore më magjepsëse në Shqipëri.

Mbresëlënëse konsiderohen edhe Liqeni i Ohrit dhe kanionet e Osumit. Në vitin 2023 ishin mbi 312 mijë turisë gjermanë që vizituan Shqipërinë, numër që pritet të rritet gjatë këtij viti.

Go to TOP