Kosova

Me pajisje të reja, Policia përmirëson procesin e regjistrimit të armëve për legalizim

Iu dorëzuan sot Policisë së Kosovës 36 kompjuterë me monitor në një ceremoni rasti ku morën pjesë Izmi Zeka, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Koordinator i AVL-ve, Rashit Qalaj, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës dhe UNDP-së.

Zeka me këtë rast u shpreh: “Më duhet të theksoj se deri më tani jemi jashtëzakonisht të kënaqur me nivelin e lartë të vetëdijes dhe gatishmërisë së qytetarëve për të shfrytëzuar këtë mundësi për legalizim të armëve të paligjshme. Vlerësoj lartë angazhimin profesional të Policisë së Kosovës për një punë të shkëlqyeshme në zbatimin efikas të fushatës për legalizimin e armëve të paligjshme si dhe dëshiroj të falënderoj për bashkëpunim dhe përkrahje UNDP-në e cila përmes këtij donacioni të kompjuterëve përkrahë Ministrinë e Punëve të Brendshme respektivisht Policinë e Kosovës, që zyrtarët policorë në stacione policore të cilët merren me pranimin e kërkesave nga qytetarët për legalizim të armëve të ofrojnë shërbime sa më të shpejta dhe cilësore”.

Maria Suokko përgëzoi punën e institucioneve në fushën e sigurisë duke theksuar: “ Dua të përgëzoj autoritetet e Kosovës që të parët në rajon miratuan strategjinë dhe planin e veprimit për Armët e Vogla dhe të Lehta. UNDP do të vazhdoje të ofrojë mbështetje të plotë për zbatimin e veprimeve të planifikuara.”

Të pranishmëve iu drejtua edhe Z. Qalaj, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës: “Është e rëndësishme që ne të gjithë të bëjmë çmos që të kemi sa më pak armë në duart e popullatës. Arma është rrezik për familjen, fqinjët dhe tërë popullin e Kosovës. Dua të falënderoj UNDP për përkrahje të vazhdueshme dhe kontributin aktual.”

Këta kompjuterë do të shpërndahen në 36 stacione policore dhe do të përdoren nga zyrtarët policorë për regjistrimin e kërkesave për legalizimin e armëve. Procesi i legalizimit, i iniciuar nga Ministra e Punëve të Brendshme dhe i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, filloi më 17 dhjetor 2018 për një periudhë gjashtë mujore dhe u zgjat për tre muaj deri më 17 shtator 2019.

Vazhdimi i fushatës financohet nga UNDP përmes kontributit të Fondit të Mirëbesimit të OKB-së që Mbështet Bashkëpunimin rreth Rregulloreve për Armët (UNSCAR) dhe vazhdon të mbështesë përpjekjetet për të nxitur dhe forcuar sigurinë publike në Kosovë dhe rajon. Legalizimi është një nga metodat për zvogëlimin e armëve të paligjshme dhe u jep mundësi qytetarëve që të kenë ligjërisht armë sipas Ligjit të Kosovës nr. 05 / L-134 për Legjislacion dhe dorëzimin e armëve, municioneve dhe mjeteve eksplozive, i cili është i harmonizuar me Direktivën e BE-së për armë të zjarrit.

Që nga viti 2008, Programi i Sigurisë i UNDP-së ka trajtuar aspekte të ndryshme të kontrollit të armëve të vogla duke përfshirë ligjet, prodhimin, shënimin, regjistrimin dhe gjurmimin, ruajtjen dhe menaxhimin e inventarit, shkatërrimin e armëve, ngritjen e vetëdijes tek qytetarët,  si dhe tregtinë ndërkombëtare. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.