Kosova

Me nënshkrim të Hoxhajt e jo të Haradinajt, 70 mijë euro të Qeverisë për përkrahjen e 4 të ftuarve të Speciales

Një javë pasi e barti përgjegjësinë te Ministria e Drejtësisë, Zyra e Kryeministrit ka shfletuar arkivin për t’i rigjetur dy vendime me të cilat Qeveria kishte ndarë 70 mijë euro për 4 ish-eprorë të UÇK-së nga buxheti i shtetit.

Në përgjigjen në kërkesën e KTV-së për qasje në dokumente publike, Zyra e Kryeministrit ka kthyer dy vendime, një të datës 5 shkurt, tjetri i datës 19 mars, që janë shtuar në vendimet e mbledhjeve që Ekzekutivi i kishte marrë ato ditë.

Me të parin ndaheshin 30 mijë euro në total për, siç shkruhet, përkrahje financiare për personat e akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Kërkesat e Sami Lushtakut dhe Mahir Hasanit për ndarjen e 9,187, respektivisht 6,991 eurove, ishin miratuar në tërësi, ndërsa Sylejman Selimit, kërkesën për 20 mijë euro, Qeveria ia kishte mbështetur pjesërisht, duke ia ndarë 13,822 euro.

Më 19 mars, shuma prej 40 mijë eurosh nga Qeveria kishte shkuar vetëm për Lahi Brahimajn, dajë i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ajo që bie në sy në këto vendime është edhe nënshkrimi ndryshe prej vendimeve të tjera të bëra nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe, pas interesimit të televizionit, del se ato mbajnë nënshkrimin e zëvendëskryeministrit nga PDK-ja, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj e ka konfirmuar një gjë të tillë, pasi, siç ka thënë, i ishte kërkuar një gjë e tillë me urgjencë nga zyrtarë të kabinetit të Haradinajt, meqë ky i fundit nuk ishte në Kosovë.

“Në mungesë të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe për shkak të udhëtimit jashtë vendit, si zëvendëskryeministër, kam nënshkruar vendimin, pasi që është kërkuar nga Zyra e Kryeministrit. Çdoherë kur kryeministri Haradinaj ka udhëtuar jashtë vendit, me kërkesë të tij, kam marrë përsipër agjendën politike apo nëse ka pasur vendime të panënshkruara të cilat fillimisht janë aprovuar në mbledhje të qeverisë, i kam nënshkruar. Këto janë vendime kolektive të miratuara në mbledhje të qeverisë”, ka thënë Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër në detyrë i Kosovës

Por, KTV-ja merr vesh nga burime brenda Qeverisë, së këto vendime nuk janë marrë fare në pjesën publike të takimeve.

“Kur është mbyllur mbledhja, ministri Abelard Tahiri ka thënë se ka çështje shtesë për të diskutuar, pra ndarjen e këtyre fondeve, dhe pastaj kjo është vendosur me shumicë votash. Por, këto vendime nuk kanë hyrë fare në kategorinë e vendimeve të klasifikuara, e rrjedhimisht, është dashur të merren publikisht”, ka sqaruar ky burim për televizionin.

Në vitin 2015, Kosova ka miratuar Ligjin për mbështetjen financiare të individëve që akuzohen, por që në emër të ligjit dhe nenit 1, përfshin edhe fjalën ‘potencial’.

Pavarësisht se në dy nenet pasuese, atë 2 dhe 3, që i referohen fushëveprimit dhe mbrojtjes juridike, saktësohet se nga i njëjti, asistencë financiare përfitojnë vetëm të akuzuarit, e jo të dyshuarit apo dëshmitarët.

Ministria e Drejtësisë, pavarësisht zotimeve që t’i dërgojë për miratim në Qeveri tre udhëzime administrative që për bazë kanë ligjin në fjalë, e me të cilat mes tjerash rregullohej edhe lartësia e pagesave për avokatë, ka dështuar ta bëjë një gjë të tillë.