Bota

Me dhjetëra foshnje të infektuara me koronavirus në Teksas

Me dhjetëra foshnje janë prekur me COVID-19 vetëm në një rajon të Teksasit në ShBA, kanë thënë zyrtarët, deri sa ky shtet po vazhdon të raportojë numra rekord të personave të infektuar dhe të vdekur si pasojë e kësaj sëmundje.

Zyrtarët shëndetësorë e dhanë këtë lajm të zymtë gjersa ky shtet të shtunën raportoi numër rekord të vdekjeve për 24 orë nga koronavirusi – 174, shkruan The Independent.

“Në këtë moment kemi 85 bebe nën një vjeç e që kanë rezultuar pozitive në COVID-19”, tha Annette Rodriguez, drejtoresha e Departamentit të Shëndetësisë Publike në rajonin Nueces të Teksasit.

“Këto foshnje as nuk e kanë arritur ditëlindjen e parë. Ju lutem na ndihmoni ta ndalim përhapjen e virusit”, shtoi ajo.

Që nga fillimi i pandemisë në Teksas kanë vdekur më shumë se 3.700 persona. Disa spitale kanë raportuar për mungesë të shtretërve në njësitë për mjekim intensiv për pacientët e infektuar, transmeton KOHA.

Teksasi ishte njëri nga shtetet e para që u rihap pas mbylljes gjithëkombëtare në ShBA. Guvernatori Gregg Abbott lejoi hapjen e bizneseve, përfshirë kafenetë dhe restorantet në muajin maj.

Pasi që fillimisht refuzoi ligjet për mbajtjen e detyrueshme të maskave, Abbott lëshoi një urdhër në fillim të korrikut që kërkon nga të gjithë banorët e Teksasit të mbajnë maska kur gjenden në lokale dhe ndërtesa publike.

Më shumë se 3.5 milionë amerikanë janë infektuar me koronavirus, sipas Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në ShBA dhe më shumë se 137.000 kanë vdekur.