Kosova

“Më dërgoi letër me emër të Presidentes”, edhe Ganimete Musliu thotë se e ka kërcënuar Prindon Sadriu

Pas deputetës së PDK-së, Floretë Zejnullahu e cila tha se burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu e ka kërcënuar, edhe deputetja tjetër e këtij subjekti, Ganimete Musliu në seancën e some të Kuvendit të Kosovës ka thënë se është kërcënuar nga bashkëshorti i presidentes.

Me këtë rast, Musliu ka thënë se para disa ditësh në postën e Kuvendit të Kosovës i ka ardhur një zarf nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por që sipas saj ai ishte dërguar nga bashkëshorti i saj Prindon Sadriu.

Ajo thotë se përmes këtij zarfi, Sadriu e kishte kërcënuar atë me padi civile.

“Para disa ditësh në postën e Kuvendit më kish ardhur një zarf paksa më i veçantë. Zarfi në fjalë ishte nga presidentja e Kosovës. Me shumë vëmendja e hapa zarfin që ishte nga presidentja Vjosa Osmani. Në brendi të zarfit s’kishte shkresa por ishte një letër e nënshkruar nga Prindoni. Letra që ma kishte dërguar me emër përmbante një kërcënim për padi civile. Unë pasna thënë se ai është ambasador me korrespodencë e ambasador e bëri bashkëshortja e tij. Kjo ishte çështja që e kishte shqetësuar Prindonin e Vjosës”, ka deklaruar ajo.

Musliu është shprehur se Sadriu në letrën e dërguar ia kishte caktuar asaj disa afate për të kërkuar falje, përndryshe nëse nuk do ta bënte këtë, do ta padiste.

“Në letrën që ma kishte dërguar më kishte caktuar afate se kur duhet t’i kërkoj falje, përndryshe nëse si respektoj afatet do më padiste sepse ia kam prishur imazhin. Unë u ndala u mundova dhe u mundova me e kuptu se çfarë është puna e këtij personi. Ky djali edhe lazdrohet duke ju dukur vetja kumedit se çfarë. Ky djalë nuk e di se ku e ka vendin e tij. Ky është ambasador me korrespodencë, edhe ushtarë me korrespodencë, por krejt benificionet i merr si i rregull”, ka shtuar ajo.

Musliu ka thënë tutje se presidentja nuk duhet t’i shërbej familjes së saj.

“Vjosë e nderuar, presidenca nuk është për të shërbyer ty dhe familjes tënde. Me që burri juaj më kërcënon me padi civile, në çfarë cilësie ma dërguat letrën e tij ju si presidente, çfarë është ai fëmijë që ti t’i dërgosh letra”, ka shtuar ajo.

Përndryshe, para Musliut edhe deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu ka thënë se burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, e ka kërcënuar.

Zejnullahu ka thënë se edhe ajo ka marrë një letër kërcënuese nga Sadriu derisa ka paralajmëruar padi ndaj tij.