INTERVISTA

Më 28 maj udhëheqja në komunat veriore bëhet ilegjitime

Kryetarët e katër komunave veriore më 27 nëntor të vitit të kaluar në mënyrë unanime kishin vendosur të japin dorëheqje nga pozita e kryetarit, pas vendimit të Qeverisë për të vendosur taksën prej 100% për prodhimet serbe, mirëpo ata po vazhdojnë të paguhen nga buxheti shtetëror i Kosovës pavarësisht që aktualisht nuk ushtrojnë pozitat e tyre. Komunat veriore vazhdojnë të jenë pa “zot shtëpie”, teksa kjo gjë po i kushton shtetit me mijëra euro.

Njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu, duke folur për dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore, ka thënë për “Zërin” që ndonëse Qeveria aktuale nuk është e aftë të menaxhojë situatën në këtë pjesë, përsëri sipas tij një situatë të tillë e rregullon Kushtetuta e Kosovës.

“Kjo qeveri nuk është e aftë të menaxhojë çështje dhe probleme të cilat janë të interesit vital për vendin dhe kjo tregon për shkallën e papërgjeshmërisë në këto institucione. Kryetarët e komunave veriore në anën tjetër kanë kohë deri më 28 maj dhe pastaj domosdoshmërisht me Kushtetutë të Kosovës parashihet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme atje, përndryshe çdo gjë është ilegjitime”, ka theksuar Baraliu.

Ndërkohë sipas Baraliut opsioni i dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Komunës nuk parashihet me Kushtetutë të Kosovës.

“Të gjitha kompetencat dhe obligimet e kryetarëve të komunave janë të parapara në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe dorëheqja në fakt aty nuk ekziston. Pra vetëm mundësia e shkarkimit gjendet aty, ata kanë dhënë dorëheqje për arsye politike, nuk e njohin sistemin juridik të Kosovës, nuk e njohin shtetin, nuk i njohin institucionet dhe janë kaq muaj duke bërë detyrat e tyre thjesht nga distanca dhe duke marrë beneficionet e tyre, por duke mos e njohur Kosovën e autoritetet atje”, ka thënë ai më tutje.
Deri në maj të këtij viti Baraliu vlerëson se në veri edhe mund të bëhen zëvendësime formale juridike nga nënkryetarët e komunave, por pas atij afati atje ka jolegjitimitet të plotë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483