MD-ja jep detaje në lidhje me vilën e kryekriminelit Milan Radoiçiq

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.

Agjencia, sipas MD-së, ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në Urdhrin e sipërpërmendur, “duke përfshirë edhe vilën e cila konsiderohej të ketë qenë e kryekriminelit, Milan Radoiçiq tek Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera, në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me Urdhrin e Gjykatës”.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur prej rreth 30 personash sulmuan policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Njësitë speciale të PK-së më pas identifikuan grupin i cili ishte fshehur në Manastirin e Banjskës. Mes terroristëve dhe policisë së Kosovës nisi shkëmbim zjarri, ku tre prej terroristëve mbetën të vdekur, kurse pjesa tjetër ikën maleve në drejtim të Serbisë.

Radoiçiqi më pas e kishte pranuar se ka qenë udhëheqës i këtij grupi. 

Go to TOP