Kombëtare

Mbyllen qendrat e votimit në Podujevë

Pandemia me të cilën po ballafaqohet vendi, ka detyruar qytetarët e Podujevës që këtë të diel të votojnë në rrethana krejtësisht të tjera krahasuar me herët e shkuara.

Ndonëse jo të gjithë me maska dhe me distancën e rekomanduar, procesi zgjedhor megjithatë përfundoi në Podujevë. E qytetarët, si gjithmonë kanë thënë se presin për ndryshime dhe më shumë vende të punës.

Por as ky proces zgjedhor nuk kaloi pa incidente. Një person madje është arrestuar në një qendër të votimit pasi kishte fotografuar votën. E tensione dhe akuza pati edhe mes partive kryesisht për presionin që u bëhej votuesve.

Komunën gjatë ditës e vizitoi edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të parë siç tha, respektimin e masave anti-pandemi.

“Janë katër ekipe inspektorësh, bashkërisht me Policinë e Kosovës, janë disa masa dhe ndëshkime që janë marrë këtu dhe në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Zemaj.

Në këto zgjedhje është mundësuar që të votojnë edhe qytetarët të cilët kanë qenë të izoluar apo të infektuar me Covid-19.

Qytetarët e Podujevës të drejtën e tyre për të votuar e ushtruan në 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 vendvotime, e të drejtë vote kishin 87 mijë e 381 persona.