EKONOMI

Mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarve për dëmtimin e KEK-ut 53 mijë euro

Prishtinë- Në shqyrtimin e dytë mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtnë,  mbrojtja e të akuzarve Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajdari, Nazmi Musliu dhe Tefik Hargaja kanë kërkuar nga trupi gjykues hudhjen e aktakuzës.

Në anën tjetër, prokurori i rastit Bashkim Zeqaj, në po këtë seancë të shqyrtimit të dytë ka kërkuar konfirmimin e aktakuzës.

Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajdari dhe Nazmi Musliu sipas prokurorisë po akuzohen se kanë dëmtuar Korporatën Energjetike e Kosovës (KEK) në vlerën prej 53 mijë euro, duke keqpërdorur detyrën e tyre si zyrtarë.

Ndërsa për veprën penale të mashtrimit po akuzohet Tefik Hargaja.

Në fillim të seancës u elaboruan kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Mbrojtësi i të akuzuarit Zeqir Gashi, avokati Labinot Vata ka deklaruar se kanë paraqitur kërkesat për hudhje te aktakuzës dhe kundërshtim të provave, i njëjti  ka deklaruar se i mbrojturi i tij si anëtar i komisionit për pranimin e mallit, gjegjësisht reduktorëve ka pranuar në sasi dhe produktin e njëjtë që i është kërkuar.

Deklarimin e avokatit të tij e përkrahi edhe i akuzuari Gashi, i cili po ashtu sërish theksoi se është i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Reqica, avokati Granit Curri ka thënë se nuk është vërtetuar me asnjë provë se i mbrojturi i tij ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme ndonjë pasuri dhe se sipas tij aktakuza ka kundërthënie.

I mbrojturi i avokatit Curri, Reqica e mbështeti deklarimin e avokatit të tij duke shtuar se janë ngatërruar reduktorët e karrocave me ata të shiritave.

Avokati Gzim Berisha si mbrojtës i të akuzuarit Rexhep Gashi ka thënë se prokuroria ka dështuar të përshkruajë veprimet që do ta vërtetonin dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer vepër penale për të cilën akuzohet, dhe i njëjti ka kërkuar që të hudhet aktakuza dhe të pushohet procedura penale ndaj të mbrojturit të tij.

Ndërsa, i akuzuari Agron i cili në këtë çështje penale mbrojtjen po e ushtron pa avokat, ka deklaruar se qëndron pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe se i njëjti ka thënë se për këtë aktakuzë kishte dëgjuar në vitin 2017.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Nexhmedin Sejdiu ka deklaruar se e mbështet tërësisht kundërshtimin e ushtruar nga ana e tij.

I njëjti ka shtuar se i mbrojturi i tij si kryeinxhinier nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se sipas tij nuk i ka tejkaluar kompetencat ashtu siç thuhet në aktin akuzues.

Në fund i njëjti i ka propozuar gjykatës që pas dëgjimit të të gjitha kundërshtimeve dhe sqarimeve të mos ta ngarkojë më tepër të mbrojturin e tij dhe ta hedh poshtë aktakuzën.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hargaja, avokati Armend Krasniqi ka thënë se i mbrojturi i tij akuzohet për veprën penale të mashtrimit, por sipas tij mbrojta konsideron se provat nuk janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

Ai po ashtu ka shtuar se si mbrojtje nuk e kuptojnë se çka ka ndodhur gjatë hetuesisë pasi sipas tij edhe hetuesia ka qenë në lajthim.

I akuzuari Hargaja ka thënë se kishte dhënë një deklaratë në polici dhe prokurori dhe se të njëjtës deklaratë i qëndron në tërësi.

Tutje, duke u përgjigjur në kundërshtimet e mbrojtjes, prokurori Zeqaj ka thënë se ka pranuar kërkesën për kundërshtim vetëm të avokatit Nexhmedin Sejdiu, ndërsa në këtë seancë ka pranuar edhe të avokatëve tjerë.

Sa i përket kundërshtimit të avokati Armend Krasniqi, lidhur me atë se provat janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, prokurori Zeqaj ka thënë se nuk ka dëgjuar nga avokati se pse këto prova janë marrë në kundërshtim dhe se sipas tij të gjitha veprimet janë marrë në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas prokurorit Zeqaj, edhe pse mbrojtësit përmendën fjalët lajthim, gabim, gabimisht është liferuar, ai tha se në kontekst të saj bëhet e besueshme se aktakuza ka prova të mjaftueshme.

Prokuroi Zeqaj u përgjith edhe lidhur me elaborimin e avokatit Nexhmedin Sejdiu i  cili sipas tij këto kundërshtime i ka elaboruar më shumë në cilësinë e një eksperti të elektros se sa të një juristi.

“Dëgjova edhe plotësimin edhe elaborimin e mbrojtësit Nexhmedin Sejdiu, i cili elaborim më shumë kishte një rol të eksperti të lëmisë së një elektro se sa të një mbrojtësi, e nuk mundet një jurist me dhanë konstatime të tilla”, tha prokurori Zeqaj.

Në fund, prokurori i propozoi gjykatës që të refuzojë të gjitha kundërshtimet e mbrojtësve, për shkak se të njëjtat sipas tij nuk janë të bazuara.

Lidhur me kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, do të vendos gjyqtarja Naime Krasniqi Jashanica.

Ndryshe, aktakuza e ushtruar në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën dhe Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare  në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KW nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Agron Hajdari, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e rregulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KW nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Nazmi Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KW nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KW me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajdari dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Tefik Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë  me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja thuhet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.