Kosova

Mbrojtja e Lushtakut thotë se Prokuroria i siguroi provat me masa të fshehta

Mbrojtja e ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të shpallen të papranueshme provat e Prokurorisë që ishin marrë nëpërmjet masave të fshehta të hetimeve.

Avokati i Lushtakut, Artan Qerkini, tha se provat nga përgjimet dhe vëzhgimet janë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, raporton KTV-ja.

Sipas Qerkinit, për këtë vepër penale që akuzohet Lushtaku në këtë rast, nuk mund të urdhërohen masat e fshehta.

Kërkesën e Qerkinit e ka mbështetur edhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë në këtë rast.

Por Mahmut Halimi, avokati i Ismet Haxhës, ka kërkuar që të shpallen të papranueshme edhe provat nga raportimet e mediave në atë kohë.

Prokurorja speciale Florije Shamolli vërejtjeve të mbrojtës do t’u përgjigjet me shkrim në seancën e radhës.

Ndërkohë në seancën e së hënës ishte paraparë që të niste mbrojtja e të akuzuarve Emrush Thaçi, Sami Lushtaku e Shemsi Hajrizi.

Por ajo u ndërpre me kërkesë të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Emrush Thaçi, pasi deklaroi se nuk ishte i përgatitur që të japë mbrojtjen e tij me arsyetimin se të hënën ka pranuar provat materiale të prokurorisë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për arratisje nga QKUK-ja, për pengim të dëshmisë dhe për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

Pos Lushtakut akuzohen edhe Ismet Haxha, Sahit Jashari dhe disa persona të tjerë, që, sipas Prokurorisë, ndihmuan ose nuk e penguan arratisjen e tyre sa ishin në paraburgim.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483