EKONOMI

MBPZhR: Mos i digjni hamulloret – praktikoni qarkullimin bimor

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural apelon tek fermerët, që të mos i djegin hamulloret.

Në kumtesën e lëshuar nga MBPZhR thuhet se duke u nisur nga fakti se tanimë është bërë trend që pas korrje shirjeve të grurit, fermerët nga mosdija për efektet negative që bartë ky veprim e shpesh edhe nga pakujdesia i djegin hamulloret.

Komunikata e plotë:

MESAZH KËSHILLIMI PËR FERMERËT

Të nderuar fermerë,

“Mos i digjni hamulloret – praktikoni qarkullimin bimor“

Jemi në përfundimin e fushatës së korrje-shirjes së grurit, ku pas korrjes së grurit disa fermerë praktikojnë të i djegin hamulloret. Me djegien e hamulloreve, pos që shkaktoni ndotje të ambientit, ju do të shkaktoni dëme të tjera të shumëta duke shkatërruar mikroflorën dhe mikrofaunën e tokës.

Disa praktika të mira se si të veprohet pas korrjes së grurit:

– Pas korrjes së grurit në parcelat ku s’ka ujitje, bëni përkufizimin e parcelës duke bërë lëvrimin 2-4 rende në mënyrë që nëse paraqitet zjarri mos të depërtoj edhe në parcelat tjera;

– Në parcelat ku nuk ka ujitje pas korrjes së grurit, bëni lëvrimin e cekët dhe në këtë mënyrë kashta e mbetur do të futet në tokë që të kompozohet, duke ndikuar kështu në përmirësimin e strukturës dhe plleshmërinë e tokës;

– Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikoj pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve;

– Në parcelat ku ka ujitje, menjëherë filloni të bëni lëvrimin dhe mbjelljen e kulturës tjetër në të njëjtën parcelë;

– Nëse përcaktoheni të mbillni misrin foragjer me vegjetacion të shkurtër (nën 100 ditë), përdoreni dyfishin e farës për mbjellje për ha.

Fermerë lavërtarë,

Fitoni dy të korrura brenda vitit në të njëjtën sipërfaqe!

Pas korrjes së grurit, në të njëjtën sipërfaqe mund të mbillni kultura tjera si misrin foragjer me vegjetacion të hershëm (që si i gjelbër shfrytëzohet si ushqim për kafshët, por edhe për silazh), pastaj perimet si: lakra, etj. dhe në të njëjtën kohë do të rrisni të hyrat në fermën tuaj.

Rëndësia e mbjelljes së kulturës së dytë do të shërbej si një qarkullim bimor duke ndikuar në rendimente më të larta tek kulturat që do t’i kultivoni në atë parcelë.

Qarkullimi bimor bujqësor paraqet sistem të prodhimeve bimore, gjatë së cilës kryhet ndërrimi i rregullt i mbjelljeve në hapësirën dhe kohën e një parcele. Qarkullimi bimor bujqësor ka rendësi të madhe, nëse në të njëjtën sipërfaqe kultivohet kulturë e njëjtë për disa vite rresht (monokulturë), atëherë rendimentet zvogëlohen, kurse në të njëjtën kohë barojat, sëmundjet dhe dëmtuesit shumëzohen. Qarkullimi bimor bujqësor është posaçërisht i rëndësishëm në prodhimin organik bujqësor, sepse në mënyrë natyrore pengohet shumimi i barojave, sëmundjeve dhe dëmtuesve, dhe në këtë mënyrë shmangim përdorimin e pesticideve.

Me rotacionin e kulturave bujqësore arrihet:

– Rregullimi i marrëdhënieve reciproke të kulturave bimore, barojave, sëmundjeve, dëmtuesve dhe materieve ushqyese,

– Përmirësohet përmbajtja e humusit dhe ruhet sasia e tij,

– Përmirësohet struktura e tokës,

– Rritet përdorimi i materieve ushqyese nga bima,

– Kontrollohen më lehtë barojat e këqija, sëmundjet dhe dëmtuesit. /Kosova.info/