OPINION

Mbledhje Qeverie në Burrel

Atë natë shefi i madh kishte fjetë pa terezi. Një e flamosur ëndërr që iu faneps nuk e la të qetë gjithë natën. Ndërroi krah e krevat dhe veç i shtohej ankthi. Dikur nga mëngjesi e lëshoi dhe bëri nja dy orë të qeta…

Të nesërmen kishte lënë për të mbledhur grupin e punës në zyrë. Por, ishte pa terezi dhe mendoi ti mbledhë te shtëpia e vet. Të vinin tre e nga tre që mos t’i bënin rrëmujë. Djali i vogël e kishte bezdi rrëmujën.

Ndaj e vendosi, të parët të vinin Nafija, Ushtari i mirë Shell dhe Gjeniu.

Nafies iu duk me rëndësi të madhe që ishte me të parët në radhë. Kishte filluar një dietë këto kohë dhe ndihej si flutur. U lye e u zbukurua për merak. Takoi Ushtarin e mirë Shell dhe Gjeniun tek Rrapi i Dyshit dhe u nisën. Jo pa emocione. Gjeniu po dridhej.

Jashtë rrethimit të pallatit kishte veç zogj e lulemollë. Nafies i erdhi një si lezet. Iu kujtua filmi “Lulet e Mollës” dhe delli romantik iu zgjua.

Por shpejt Gjeniu e solli në vete….

U futën brenda në majë të gishtave. Gjeniu mbylli derën dhe u ulën në dhomën e fundit në të djathë. Ora shënonte 11.00 dhe Taho po lozte në oborr. U gëzua kur pa Gjeniun. Shumë u gëzua sa direkt thirri “ Ba, ma lër mua Gjeniun se do loz pak symbyllurazi”!   Një nënqeshje Zeusiane spikati fytyrën e mrrolur të shefit. “Sigurisht -I tha të birit. Se mos ka punë tjetër ky.”

Pastaj filloi mbledhja. Nafija po tregonte që u vodhën ca thasë me Euro në Drinas. Me një zë delikat, seksi, në kundërshtim me format jo edhe aq delikate të saj tha:”Fajin e kishte kontraktori Shef, nuk kishte asnjë faj Ushtari i mirë Shell. Ky u përpoq sa mundi, madje edhe vrau një nga ata të shkretët. Por, këta qelbësirat e Drinasit, këta kanë përgjegjësinë kryesore”.

Moj ti k…, kush i kontraktoi këta fajtorët e tu, kush i kontrollon këta për zbatimin e rregullave?! Ë, kush po të them?! Dhe lëshoi grushtin në tavolinë! Ti ia heq përgjegjësinë këtij e ja vë vetes…Hiqja Lenës e vëja Prendës”…

Një e qarë u dëgjua nga oborri ku po luante Taho. Ai kishte hipur në shpinën e Gjeniut dhe po eglendisej por kur dëgjoi të bërtitura u tmerrua….

Mbledhja u ndërpre. Ushtari i mirë Shell u mor me pajtimin e tij. I tregoi një përrallë. Shefi i bëri me shenjë Gjeniut që të dilte nga rrethimi dhe të luante në oborrin e jashtëm.

Mbledhja vazhdoni sërish. Nafies i ra çdo dëshirë për të vazhduar me vjedhjen e parave.

E shpëtoi shefi vetë kur e pyeti : “Me Unazën e fshatit çfarë bëhet se lamë nam. Paratë i kemi marrë, do e bëjmë atë mut rruge apo të fusim ndonjë njeri në burg nga ata zullumqarët që na çanë trapin me protesta?”

Erdhi momenti i Ushtarit të Mirë Shell. Ky u ngrit në këmbë e filloi të raportonte me solemnitet: ”Për çdo natë fus nga 5 fshatarë unaze brenda….”

“Ulu mer koqe e fol shtruar”- i tha shefi. Ti kujto se je në Luftë. Dhe nuk ka fshatarë Unaze. Nuk shkon edhe fshat edhe Unazë në të njëjtën fjali.

Ushtari  u mpak. Me vete mendoi:”Po ky vetë na ka thënë që ky vend është një fshat I vogël”. Pastaj u kthjellua, “ç’punë kam unë me mendimin tim”?!.

Nafie, pse nuk e bën tenderin e Unazës ti?

“Është vështirë Shef… Tani, po ta bëjmë tenderin do ulet shumë çmimi dhe kuptohet që kemi vjedhë.  Dhe po të ulet çmimi ku do i gjejmë ato paratë që ia kemi marrë atij….

“Shih fol pak me Lalën, Fatmirin, Ndriçimin ta mbyllin këtë gropë. Dhe mos më nxirrni këso vështirësish simbolike. Nuk du vështirësi… boll më shqetësoi ajo e flamosur ëndërr…”

Ndërkohë dikush erdhi me nxitim dhe trokiti në derë. Ishte shefi i sigurimit. Me fytyrë të zbardhur iu drejtua shefit dhe diç i tha në vesh… Shefi nënqeshi pak me ironi…

Ishte vetë Liza në Botën e Vet në hyrje të Pallatit.  Kishte marrë vesh që vetëm 3 anëtarë të grupit ishin thirrur dhe ishte bërë bishë. Sidomos kur mori vesh që ishte Nafia aty…Kur pa Gjeniun jashtë që luante me Tahon u bë edhe më keq…

Këtu mbledhja mori një kthesë serioze. Ushtari i mirë Shell doli të luante edhe ai me Tahon…