Kombëtare

Mbi pronarin e UET-së, Henri Çili, rëndojnë dyshimet për gjashtë vepra penale

Pronari e themeluesi i Universitetit Evropian të Tiranës (UET), një prej institucioneve arsimore më të mëdha në Shqipëri, është arrestuar të premten së bashku me 27 persona të tjerë në një operacion me shkallë të gjerë të realizuar në disa qytete. Mbi Çilin, që në Shqipëri njihet edhe si gazetar e analist, rëndojnë dyshimet për gjashtë vepra penale.

Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në Shqipëri, në bashkëpunim me drejtoritë vendore të Policisë dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë në Përmet, pas një hetimi 6-mujor, në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2019, për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Mezhgorani”. Bilanci i këtij operacioni janë 28 të arrestuar në të gjithë vendin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Themeluesi i UET-së, sipas njoftimit, është arrestuar nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vjet burgim me vendim të formës së prerë, për vrasjen e efektivit të policisë Ibrahim Basha në Lazarat të Gjirokastrës, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marihuanës.

Ndaj Çilit, sipas një komunikate të lexuar nga drejtori i policisë së shtetit në Shqipëri, Ardi Veliu, rëndojnë dyshimet për gjashtë vepra penale: “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim.

Po ashtu urdhri i ndalimit të policisë u ekzekutua edhe për biznesmenin e njohur Sait Fishta, pronar i disa godinave rezidenciale, komplekseve e resorëve turistike në plazhin e Velipojës, i cili aktualisht është më masë sigurie “arrest me burg”, për të njëjtat vepra penale.

Çili, sipas dosjes hetimore, dyshohet se është përfshirë në hetime, si pasojë e vëllait të gruas me të cilën bashkëjeton ai, duke qenë se procedimi penal i regjistruar nga Prokuroria e Përmetit kishte nisur pas një episodi transporti lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi. Dhe pjesa më e madhe e 28 të arrestuarve nga ky operacion janë të akuzuar pikërisht për “prodhim dhe trafik të lëndëve narkotike”, por ka edhe personazhe të tjera që akuzohen për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” ‘’Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ka qenë vëllai i gruas me të cilën bashkëjeton Çili, Gazmir Ajdini, ai që i është ofruar babit të dy vëllezërve Aliko, të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat në Shqipëri me burgim të përjetshëm dhe 18 vjet burgim, duke premtuar rishikimin e vendimeve për djemtë e tij në Gjykatën e Lartë në këmbim të parave, tokave e apartamenteve. Sipas dosjes hetimore, Çili mësohet të ketë premtuar mbështetje në media, ndërsa ka takuar dhe një “zyrtar të lartë të Drejtësisë”, të cilit i ka kërkuar që dosja ndaj vëllezërve Aliko të shihet me precedencë. Sipas të dhënave të para, gjithashtu, bashkëjetuesja e Çilit dyshohet të ketë përfituar dy apartamente, pikërisht për shkak të angazhimeve të këtij të fundit në ndihmë të të dënuarve.

Në pranga mësohet se ka përfunduar dhe noterja Shpresa Gjoci, e cila ka bërë aktet e dhurimit për bashkëjetuesen e Henri Çilit, ndërkohë që biznesmeni nga Shkodra, Sait Fishta, dyshohet të ketë ofruar apartamentet e dhuruara, për shkak të miqësisë me babanë e vëllezërve të dënuar, si dhe një avokat, drejtor juridik pranë Universitetit Evropian të Tiranës(UET).

Drogë, armë, para dhe dokumente të falsifikuara

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, bëri publik të premten në mesditë emrat e personave të arrestuar pas finalizimit të operacionit policor të zhvilluar në 5 qarqe të Shqipërisë. Sipas tij, autoritetet duke aplikuar metodat speciale të hetimit kanë bërë të mundur të dokumentohet aktiviteti kriminal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” ‘’Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas kreut të policisë së shtetit, këtyre personave në 4 episode të ndryshme kohore u është bërë e mundur t’i sekuestrohet sasia prej 128 kg lëndë narkotike cannabis sativa, droga të forta në formë dozash heroinë dhe kokainë, 2 kallëpe lëndë plasëse tritol, shuma parash prej 10 milionë lekësh, shuma prej 7500 eurosh, 3500 euro të dyshuara të falsifikuara, 7 automjete, dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe kontrata noteriale të ndryshme.

Në kuadër të operacionit, më 28 shkurt është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet për kontrollin e 61 banesave, 10 ambienteve – njësi shërbimi dhe 33 automjeteve. Gjatë ekzekutimit të këtij vendimi u sekuestruan 3 pushkë automatike me silenciator, 2 automatikë kallashnikovë, 8 kallëpe lëndë plasëse tritol, 620 fishekë, 2 granata difensive, 71 krehër fishekësh, 13 automjete të markave të ndryshme, 40 telefona celularë, dokumente noteriale, kontrata, certifikata pronësie të ndryshme dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka thënë se nuk mund të bëjnë publike më shumë detaje të operacionit për të mos cenuar vijimësinë e operacionit.

Ministri Lleshaj ka përgëzuar Policinë dhe Prokurorinë

Pas operacionit të madh të policisë, shtrirë në disa qarqe të Shqipërisë, me 28 të arrestuar dhe 6 në kërkim, ka reaguar ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Me një shënim në llogarinë e tij në Twitter, Lleshaj ka përgëzuar policinë dhe prokurorinë për punën e bërë.

“Policia dhe Prokuroria dhanë sot një tjetër provë të rëndësishme të seriozitetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Reforma në drejtësi po sjell përditë rezultate. Droga dhe krimi nuk mund të kenë vend tek ne. Përgëzime për punën e Policisë dhe Prokurorisë”, ka shkruar Lleshaj në Twitter.

Udhëheqja e Universitetit Evropian të Tiranës (UET) ka dalë me qëndrim lidhur me arrestimin e botuesit dhe analistit Henri Çili. Në një mbledhje të zhvilluar ditën e premte, rektorati ka sqaruar se ndalimi i Çilit nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e UET dhe “European Education Initiative shpk”, që ka në pronësi këtë universitet.

“Performanca ekselente i ka dhënë këtij Universiteti statusin e një aktori publik me rëndësi kombëtare dhe më gjerë, ndaj ne si anëtarë të Senatit Akademik reagojmë me indinjatë ndaj pasaktësive, spekulimeve ose dashakeqësive në raportimin e ngjarjes së sotme, duke sqaruar se thirrja e z. Çili në organet e drejtësisë lidhet me dhënien sqarime mbi Legal Studio shpk, i cili është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Evropian i Tiranës”, thuhet në qëndrimin e Senatit të UET, i cili është firmosur në unanimitet nga të gjithë anëtarët.

Henri Çili është themelues i botimeve “Mapo”, të cilën e ka themeluar në korrik të vitit 2010, por që, sipas mediave në Shqipëri, atë e ka shituar disa muaj më parë.