Kosova

Mbi një dekadë si kryetare e KQZ-së, Valdete Daka shkarkohet nga kjo pozitë

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  Valdete Daka, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, “ka marrë një vendim jokueshtetues kur e ka shkarkuar atë”.

Ajo tha se u ndëshkua për vendimet kolegiale të KQZ-së dhe se me të ajo ka përmbushur “kërcënimin” e dhënë gjatë fushatës për shkarkimin e saj.

“Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetveten, por edhe qesharak”, pohoi Daka.

Më tej sipas saj vendimi i presidentes për shkarkim  “ishte përgatitur qartë më herët,  këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së”.

Daka ka deklaruar gjithashtu se “kërcënimet publike” të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, ku KQZ ka vendosur të jetë në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtorë për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ish-kryetarja e KQZ-së theksoi se ky presion i porositur ka vazhduar më vonë edhe nga përfaqësuesit e një subjekti të caktuar politik, të cilët, sipas saj, kanë pamundësuar zhvillimin normal të mbledhjeve, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke bërë akuza të pabaza, e shpeshherë duke kaluar fyerje dhe ofendime, por që Presidentja nuk mori asnjëherë mundimin për të reaguar.

Ndryshe, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu  kishte emëruar më 16 qershore të 2010, gjyqtaren e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Valdete Daka, anëtare dhe kryetare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Daka kishte dhënë betimin para presidentit Sejdiu, në një takim ku kishin marrë pjesë edhe anëtarët e tjerë të KQZ-së.

Emërimi i saj aso kohe ka ardhe pasi që ish- kryetari i KQZ-së, Nesrin Lushta kishte dhënë dorëheqje për shkaqe shëndetësore.

Vetëm katër ditë pas emërimit në pozitë, Daka kishte organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Parteshit më 20 qershor 2010.

Daka ka organizuar gjithsej, 11 palë zgjedhje për kryetarë të komunave si dhe pesë palë zgjedhje parlamentare.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave janë mbajtur gjatë viteve 2010,2013,2014,2015,2016,2017,2019 dhe 2020.

Ndërsa, ato parlamentare gjatë viteve n2010,2014,2017,2019 dhe 2021, ku këto të fundit të mbajtura më 14 shkurt sipas Dakes kanë qenë zgjedhjet më të vështira që ka organizuar.

“Kanë qenë zgjedhjet më të vështira edhe për këto përplasje, edhe për klimën e cila është krijuar për arsye të cilat nuk i di, po për vetë faktin se është dhënë një kahje e cila nuk është dashur të jetë”, ka deklaruar Daka në konferencë për media pas shkarkimit.

Mbarëvajtja e zgjedhjeve të kryesuara nga Daka janë konsideruar si më të mirat në rajon e për këtë në vitin 2017, ajo  ka pranuar Çmimin Ndërkombëtar Zgjedhor (vendi i parë) në kategorinë “Menaxhimi i Zgjedhjeve”, në një ceremoni të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Parlamentare (ICPS).

Menaxhimi i mirë nga ajo ka bërë që ajo të fitojë edhe mandatin e dyte, ku më 29 prill 2018 i vazhdohet mandati nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Pas kësaj Daka  kishte dhënë betimin dhe kishte deklaruar se me besnikëri dhe paanshmëri do ta kryejë detyrën e saj si kryesuese e KQZ-së.

“Deklaroj solemnisht se do t’i kryejë detyrat e mia si Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë të ndershme, besnike, të paanashme, profesionale dhe të ndërgjegjshme”, ka thënë kryetarja Daka gjatë betimit të saj.

Kujtojmë së Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkarkuar të hënën nga  Kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Në arsyetimin e Presidencës thuhet se Kushtetuta parasheh që Kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë një figurë e lartë gjyqësore, me një mandat burimor në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Në këtë vendim si arsyetim futet edhe fakti që KQZ është organ kushtetues dhe i pavarur dhe se kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga gjitha institucionet relevante dhe duhet të menaxhohet nga brenda nga kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së