Mbi 70 njerëz të vdekur nga dhuna në Afrikë të Jugut
Numri i viktimave nga dhuna në Afrikën e Jugut arriti në 72, thanë autoritetet.
Dhuna shpërtheu qëkur ish-presidenti i këtij vendi, Jacob Zuma, u dorëzua në polici javën e kaluar.
Turmat që plaçkitin dhe djegin dyqane vazhdojnë të përleshen me policinë në disa qytete.
Në ndihmë të policisë tani ka dalë edhe ushtria.
Autoritetet e rendit thanë se kanë identifikuar 12 persona të dyshuar për provokimin e trazirave dhe se mbi 1,200 vetë tashmë janë arrestuar.
Disa ministra paralajmëruan se nëse plaçkitjet vazhdojnë, ka rrezik që disa zona të mbeten pa artikuj ushqimorë, por e përjashtuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Zuma, 79 vjeç, është dënuar për shpërfillje të gjykatës, muajin e kaluar, pasi nuk ka marrë pjesë në një hetim për korrupsion gjatë presidencës së tij.
Zuma, i cili e mohon korrupsionin, është dënuar me 15 muaj burgim.
Ai është dorëzuar në polici të mërkurën e kaluar.
Disa zyrtarë thonë se disa grupe po përfitojnë nga zemërimi për burgosjen e Zumës, për të kryer veprime kriminale, ndërsa, sipas të tjerëve, zemërimi për papunësinë dhe varfërinë po nxit kaosin.
Presidenti aktual i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, tha se dhuna është nga më të rëndat në këtë vend, që nga vitet 1990 – përpara se të përfundonte aparteidi.
Dhuna është e përqendruar në provincat KuaZulu-Natal dhe Gauteng, me zjarrvënie, bllokim rrugësh dhe plaçkitje biznesesh.