Kombëtare

Mbi 11 kilogramë drogë kapen në një autobus në Merdar – policia jep detajet

Me datë 28.04.2019 rreth orës 22:00, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e antidrogës ka bërë të ditur se ka pranuar një informatë nga njësia mobile e Doganës se Kosovës, të cilët në Pikë kalimin kufitar në Merdar kishin ndaluar një autobus të një kompanie turistike me targa (KS), e cila kompani mbanë linjën e rregullt nga Prishtina me një shtet tjetër europian.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollimit të autobusit, udhëtarëve si dhe valixheve të tyre, në bagazhin e autobusit kanë qenë (3) tri çanta ku në to kishte dy zmadhues zëri dhe një klimë për ftohje, ku në brendësi të tyre janë gjetur (11) njëmbëdhjetë paketime me bari ngjyrë të gjelbër, e dyshuar si substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 11 kg e 65 gramë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësia e antidrogës –Prishtinë, njësia K9 si dhe forenzika rajonale e Prishtinës e cila ka bere fotografimin, matjen dhe tërheqjen e dëshmive. Në lidhje me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij autobusi ndalohet për një kontroll të detajuar, perderisa janë intervistuar edhe dëshmitarë të rastit. Policia me njësitet kompetente është në proces të hetimit të rastit dhe identifikimit të të dyshuarit të involvuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.