Kombëtare

Matoshi në takim me banorët e Gornjasellës për Planin Rregullues të Prevallës

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputetët Duda Balje dhe Bahrim Shabani, zv.ministrin Qerim Bajrami, drejtorin e Institutit të Planifikimit Hapësinor, Luan Nushi dhe drejtorin e Parkut Nacional “Sharri”, Bajram Kafexholli, sot kanë takuar banorët e Gornjasellës në rajonin e Prevallës – Komuna e Prizrenit, për të dëgjuar nga ta vërejtjet dhe sugjerimet për Planin Rregullues të Prevallës. 

Ministri Matoshi gjatë këtij takimi i siguroi banorët që si Ministër i MMPH-së do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që ky plan të jetë plotësisht në shërbim të ruajtjes dhe zhvillimit të kësaj zone, si pjesë e Parkut Nacional “Sharri”.

“I mirëkuptoj shqetësimet e banorëve dhe pas një vlerësimi të hollësishëm të punës së bërë deri më tani nga ekspertët e jashtëm dhe grupi punues i MMPH-së , do të ndërmarrim hapat e nevojshëm, konformë legjislacionit në fuqi”, deklaroi ministri Matoshi.

Nga ana tjetër banorët falënderuan ministrin Matoshi për vizitën dhe kërkuan që të merren parasysh kërkesat dhe vërejtjet e tyre rreth Planit Rregullues të Prevallës. /Kosova.info/