OPINION

Mashtrimi i qytetarëve nga politikanët me personalitete të dyfishta!

Shkruan: Florim ZEQA
Në Kosovën e pas luftës puna më e vështirë e një politikani ka qenë për t’u bërë deputet apo kryetar komune, ndërsa më e lehta për t’u bërë ministër apo zv. ministër, ambasador apo konsull, staf politik apo diplomatik, vozitës apo këshilltar i kryeministrit dhe presidentit, ku dy pozitat e fundit çdo herë kanë qenë pjesë e pazarit politik (para) paszgjedhor.

Shpërblimi i humbësve lokal me poste të larta shtetërore

Sikurse në zgjedhjet lokale për asamblistë dhe kryetarë komune, ashtu edhe në ato parlamentare për deputet në Kuvendin e Kosovës, gjegjësisht për qeverisjen e vendit, kandidaturat janë përzgjedhur nga lideri i partisë dhe miratuar nga strukturat partiake.

Edhe pse dalin humbës në zgjedhjet lokale për kryetarë komune, kjo nuk u prish aspak punë servilëve të liderëve partiakë. Në vend që hiqen nga lista prioritare të partive politike, si ndëshkim nga rënja e testit demokratik, të njëjtit kandidatë humbës në zgjedhjet lokale, nga lideri i partisë avancohen në poste të larta shtetërore, si zv. kryeministra, ministra, zv. ministra, në staf diplomatik apo këshilltarë, e të mos flasim për poste të larta në parti, kur servilët gjithnjë janë të parët që shpërblehen.

Servilët e liderëve partiakë, gradohen me tituj diplomatik

Si çdo herë, më të privilegjuarit e liderëve partiakë janë ata që i “mësitënojnë” koalicionet para apo paszgjedhore, janë ata që ua mundësojnë liderëve partiakë përfitimin e tenderëve qindra milionësh për kompanitë e familjarëve të tyre.

Të dëgjueshmit dhe servilët e liderëve partiak shpërblehen në forma të ndryshme, ku përveç posteve të larta në institucione shtetërore, atyre ua punësojnë edhe familjarët në institucionet e “pavarura” publike,  ua gradojnë  me titujt “Ambasador”, për t’i emëruar më pas në konsuj apo staf diplomatik në shtetet në të cilat janë të hapura përfaqësitë tona diplomatike.

Kësisoj, një grusht i vogël njerëzish po e sundojnë pamëshirshëm Kosovën tonë të dashur, duke shkaktuar pabarazi qytetare dhe njerëzore, pabarazi politike dhe ligjore, pabarazi kulturore dhe sociale.

Më të zinj sesa të korruptuarit e bërë publik për opinionin, janë ata (ato) të cilët shesin moral para qytetarëve të vendit kinse për barazi qytetare dhe luftë kundër nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, kurse në anën tjetër të gjithë familjarët e tyre i kanë të punësuar nëpër institucione shtetërore dhe publike, ambasada dhe konsullata!

Kontaminimi i oqeanit politik me “engjëj” dhe “shpëtimtarë”

Disa politikan (e) duke qenë vetë në majat e institucioneve, mbajnë familjarët e tyre në institucione publike dhe shtetërore, stafe politike dhe diplomatike, në borde dhe agjensione.

Disa politikan (e) me personalitetin e dyfishtë dhe lojën me fjalë, duke u paraqitur para opinionit publik si “engjëj” dhe “shpëtimtar” për qëllim e kanë mashtrimin e qytetarëve, kinse janë reformatorë dhe shpëtimtarë të vendit, me gojën plot ndryshime dhe barazi qytetare, janë kapës dhe uzurpatorë,  abuzues dhe tradhtarë të interesave të qytetarëve.

Politika i ngjet një oqeani të madh me peshq të vegjël dhe të mëdhenj.

Përderisa peshqit e vegjël ushqim kanë gjallesat të vogla nënujore, peshqit e mëdhenj ushqehen me peshqit e vegjël.

Ashtu sikurse jeta e peshqve në oqean është edhe jeta e liderëve në politikë është e njëjtë, ku gjithmonë të mëdhenjtë ushqehen me më të vegjlit.

Sa herë që turbullohen “ujërat” në politikë, të parët që e pësojnë janë peshqit e vegjël.

Si asnjë herë më parë në politikën kosovare janë turbulluar ujërat aq shumë, saqë nuk po dihet më, cili do të jetë fati i peshqve të mëdhenj, kur në garë për të parin e shtetit kanë mbetur dy peshqit e mëdhenj (liderët më kontrovers) partner në koalicionin qeverisës.

Derisa liderët partiak janë duke u përgatitur për ta kënaqur egon e tyre për të parin e shtetit, qytetarët janë duke u përballur me vështirësitë e jetës nga gjendja socio-ekonomike dhe vdekjet që po ua shkakton pandemia globale “Covid-19”.

Përveç sëmundjes dhe varfërisë, qytetarët e Kosovës po përballen edhe me një krizë të thellë morale shkaku i degradimit të institucioneve të vendit, duke filluar nga sistemi i drejtësisë, shendetësisë, arsimit, e deri të degradimi i vlerave kulturore në përgjithësi.

Politikanët e akomoduar në institucionet e larta të vendit, që i kanë zënë dritën e diellit dhe vrarë ardhmërinë e shumë gjeneratave mund të ndihen të lumtur, pasi vetes dhe familjeve të tyre ua kanë siguruar të gjitha të mirat e kësaj bote, por mos të harrojnë se mallkimin e popullit do ta kenë edhe në ferr po të shkojnë!