Kosova

MASHTI deri në shtator me plan për fëmijët me aftësi të jashtëzakonshme

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) pritet të hartojë një plan për identifikimin e fëmijëve/nxënësve me aftësi të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente. Kjo ministri ka hapur konkurs për angazhimin e 6 ekspertëve për hartimin e këtij plani.

Në një përgjigje për “Kohën”, MASHTI ka bërë të ditur se plani pritet të përfundojë në shtator të këtij viti dhe ka synim të përmbushë kërkesat e nxënësve që kanë aftësi të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente përmes modifikimit e përshtatjes së programit me nevojat individuale të nxënësit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Identifikimi i fëmijëve me aftësi të jashtëzakonshme bëhet në vazhdimësi, pra nuk ka periudhë të përcaktuar, kjo bëhet nga prindërit/kujdestari, mësimdhënësit apo dikush që njeh nga afër fëmijën. Aktualisht jemi duke punuar në fushën e identifikimit dhe vlerësimit ku planifikojmë të hartojmë një pako të instrumenteve, testeve të cilat do të përdoren nga psikologët e shkollave, pedagogët dhe në raste të caktuara edhe nga mësimdhënësit. Përmes kësaj synojmë të fuqizojmë mekanizmat që nga niveli i shkollës e deri të niveli qendror për sa i përket kësaj kategorie të nxënësve”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Sipas Ministrisë së Arsimit, ky plan specifikon qëllimet mësimore që duhet të arrihen nga nxënësi gjatë një periudhe të caktuar kohore, strategjitë e mësimdhënies, burimet e nevojshme për të arritur këto qëllime.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483