Kosova

MASHT-i shpall fituesit për botimin e teksteve shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i ka publikuar rezultatet përfundimtare të teksteve shkollore për klasat 1, 2, 6, 7, 10, 11.

Sipas rezultateve, fituesja më e madhe në këtë proces është shtëpia botuese “Dukagjini”. Në këtë proces, Ministria ka shpallur edhe tekstet fituese, edhe tekstet alternative. Kjo pasi tekstet në vitin e parë do të jenë në pilotim, ndërkaq nëse ka vërejtje mund të zëvendësohen me tekstet e tjera alternative, shkruan sot Koha Ditore.

“Të gjitha tekstet që kanë fituar do të pilotohen, ndërsa për mënyrën e pilotimit të teksteve alternative do të njoftoheni me kohë”, shkruan në listën e rezultateve të publikuar nga MASHT-i.

Sipas listës përfundimtare, për tekstet e Gjuhës Shqipe, shtëpia botuese “Dukagjini” ka fituar me librat e klasave 1,2,6,7, 10, ndërkaq shtëpia botuese “Albas” ka fituar me librat për klasën e 11-të. Në lëndën Edukatë Figurative dhe Art Figurativ, “Dukagjini” ka fituar me tekstet e klasave 1 dhe 6, shtëpia botuese “Albas” ka fituar me librat e klasës 2, shtëpia botuese “Pegi” ka fituar me tekstet e klasës së 10-të, ndërkaq shtëpia botuese “Berati” ka fituar me tekstet e klasës së 11-të.

Në lëndën Edukatë Muzikore, shtëpia botuese “Dukagjini” ka fituar me tekstet e klasave 1,2 dhe 6, ndërkaq shtëpia botuese “Pegi” ka fituar me tekstet e klasave 7 dhe 10.

Në lëndën Matematikë, shtëpia botuese “Dukagjini” ka fituar me tekstet e klasës 1,2,6,7 dhe 10, ndërkaq shtëpia botuese “Libri shkollor” ka fituar me tekstet e klasës së 11-të.