Kosova

MASHT-i ka zvarritur konkursin për tekstet e reja shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk e ka shpallur konkursin për tekstet e reja të klasave 3,4,5, 8, 9 dhe 12, ndonëse ka qenë e paraparë që kjo të ndodhë në muajin gusht. Burime të gazetës brenda MASHT-it kanë thënë se konkursi nuk ka shanse të hapet as në muajin shtator, shkruan sot Koha Ditore.

Ministria e Arsimit kishte paralajmëruar se për klasat 3,4,5, 8, 9 dhe 12, tekstet e reja do të jenë të gatshme vitin e ardhshëm shkollore. Nxënësit e këtyre klasave janë duke mësuar me tekste të cilat janë botime të vjetra e që nuk përshtaten me kurrikulën e re, e ka shumë mundësi që po me ato përmbajtje të mësojnë edhe vitin tjetër.

Këtë vit janë botuar tekste të reja vetëm për klasat 1, 2, 6, 7, 10, 11. Për dorëzimin e dorëshkrimeve, MASHT-i e kishte shpallur konkursin në gusht të vitit të kaluar.

Burime të gazetës, në Ministrinë e Arsimit, kanë thënë se nëse konkursi nuk shpallet as këtë muaj kjo mund të çojë në komplikim të procedurave dhe të vihet në dyshim botimi i teksteve të reja edhe për vitin e ardhshëm. Kjo pasi janë disa faza të vlerësimit, dhe po ashtu, duhet të bëhet edhe zgjedhja e recensentëve.