Kosova

MAShT: 25.000 euro për trajnim inspektorësh në Durrës

Rreth 25 mijë euro pritet t’i kushtojë Ministrisë së Arsimit një trajnim për inspektorët e Arsimit që është planifikuar të mbahet në Durrës të Shqipërisë. Trajnimin do ta ndjekin 38 inspektorë të arsimit dhe do ta mbajë Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (KAF).

MAShT-i do të paguajë 550 euro për një person, që i bie gjithsej 20.900 euro për 38 persona. Trajnimi është paraparë të ndahet në dy grupe, ku grupi i parë prej 21 inspektorëve do të trajnohet nga data 24 deri më 27 tetor, kurse grupi i dytë në të cilin do të jenë 17 inspektorë do të trajnohet nga 31 deri më 3 nëntor, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përveç shumës mbi 20 mijë euro për trajnim, MAShT-i do t’u paguajë edhe mëditje inspektorëve që do të shkojnë në Shqipëri, që e ngrit koston për buxhetin në afër 25.000 euro.

Drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, ka thënë se trajnimi ka qenë i domosdoshëm derisa ka shtuar se për vendin e mbajtjes ka vendosur Instituti KAF, që e mban trajnimin. Ndërkaq KAF ka thënë se vendosën që të mbahet në Shqipëri pasi menduan se efektet do të jenë shumë më të mëdha dhe se, sipas tyre, edhe në Kosovë çmimet nuk janë më të lira.

Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se shpenzimi për trajnime jashtë Kosovës është keqpërdorim i buxhetit dhe se kjo praktikë duhet të marrë fund.