Kosova

Masat për përmirësimin e ajrit të vonuara

Masat e propozuara nga Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë dhe nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sipas ekspertëve të kësaj fushe, janë të vonuara.

Sipas tyre zbatimi i masave të propozuara siç janë largimi i veturave të vjetra, ndalimi i thëngjillit për ngrohje dhe kontrollimi i cilësisë së derivateve të naftës është dashtë të bëhet shumë kohë më parë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka alarmuar për shkallën e rrezikut që po i kanoset popullatës si pasojë e ndotjes së pakontrolluar të ajrit në Kosovë. Niveli alarmant i ndotjes që po mbretëron javëve të fundit në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dëmton rëndë shëndetin e qytetarëve. Kategoritë më të rrezikuara janë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.

Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë paraparë disa masa, siç është eliminimi i thëngjillit për ngrohje, kontrollimi i vjetërsisë së automjeteve dhe përmirësimi i cilësisë së karburanteve. Por, Luan Hasanaj, nga organizata që merret me pastrimin dhe ruajtjen e ambientit “Let’s Do It Kosova”, tha se këto masa janë të vonuara.

“Mendoj që është pak vonë, sepse nëse flasim për thëngjillin, ata që e përdorin thëngjillin për ngrohje, ata tashmë veçse e kanë blerë. Dhe nuk ka asnjë mekanizëm që e ndalon këtë, sepse kjo është dashtë të ndalohej me ligj, siç është ndaluar për institucionet publike, të ndalohej edhe për bizneset, ekonomitë familjare etj. dhe kjo nuk ka ndodhur, pasi nuk ka ndodhur nuk mund as të ndalohet”, tha ai për televizionin publik.

Hasanaj tha se për përmirësimin e kësaj gjendjeje është dashur të niset një fushatë shumë më herët, ku shteti do t’u bënte zgjidhje rasteve sociale për ngrohje, kurse për makina të zbatohej Udhëzimi Administrativ i cili e bënë matjen e emetimit të gazit.

Ndërsa Elion Gerguri, nga organizata “Ballkan Green Foundation”, tha se masat që i kanë propozuar këto dy institucione janë të arsyeshme por se nuk ndikojnë shpejt për përmirësimin e ajrit.

“Këto masa janë më shumë afatshkurta dhe nuk pritet të kenë ndikim të madh, sepse nëse e shikojmë Prishtinën e shohim miksin më të keq të mundshëm të ndotësve, ku i kemi dy termocentrale në largësi prej 10 kilometra dhe një numër të madh të makinave ku mesatarisht në Kosovë vjetërsia është 18 vite. Kështu që ka shumë punë për t’u bërë ndërsa këto masa janë afatshkurtra dhe nuk do të mund të ndikojnë shumë në uljen e ndotjes së ajrit pasi që prioritet mbetet diçka tjetër, siç janë ndërtimet e egra, planifikimi i dobët urban etj”, tha tutje ai.

Instituti i Shëndetësisë Publike ditë më parë ka informuar se në sezonin e dimrit qyteti i Prishtinës po zhytet në smog, që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, derisa vlerat e ndotjes janë disa herë më të larta se ato të lejuara.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.