EKONOMITema e Ditës

Masat kufizuese pa skenim të gjendjes reale, kolapson ekonominë

Projektligji i rimëkëmbjes ekonomike ende nuk ka kaluar. Shumë biznese janë para falimentimit, derisa disa janë duke punuar për mbijetesë – shkruan Kosova.info

Numri i punonjësve në sektorin privat ka filluar të shkurtohet me vetë kufizimet. Në shumë qendra të mjekësisë nuk u ofrohen shërbime qytetarëve për shkak të pandemisë. Ndërsa lista e masave represive e cila dita më ditës zgjatet në vend të situatës së jashtëzakonshme shëndetësore është duke lëvizur drejt gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjatë ditës shqiptohen deri 1.000 dënime për mos përmbajtjen e rregullave të vendosjes së maskave. Masa e fundit për parandalimin e përhapjes së pandemisë janë kufizimi i aktiviteteve ekonomike dhe i lëvizjes së qytetarëve duke ndikuar në shëndetin mental dhe kufizim të drejtave të qytetarëve. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë skenim të situatës reale në terren të përmasave të shtrirjes së kësaj pandemie. Dera më e trokitur nga asociacionet e ndryshme afariste mbetet ajo e qeverisë së Kosovës.

Ekspertë të ekonomisë alarmojnë se deri më tani institucionet nuk kanë gjetur zgjidhje alternative tjetër dhe se ekonomia do të bie në kolaps me këto masa pa një analizë të tërësishme në terren dhe jo nga kabinetet e institucioneve përgjegjëse.

Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, për Kosova.Info, me keqardhje thekson se Kosova është shndërruar në hapësira eksperimentale, ku mungon dialogu i mirëfilltë në relacion pozitë – opozitë, por edhe në mes të partnerëve të koalicionit.

“Në qoftë se në këtë kohë pandemie dominon një mos unitet i tillë politik në interes të shtetit kur Kosova ballafaqohet me pandemi ekonomike dhe sociale, atëherë lind pyetje kur duhet dëshmuar ky unitet?”, – shtroi një pyetje retorike Gërxhaliu.

Ai nuk e konsideron si zgjidhje mbylljen:

“Mbyllja nuk është zgjedhje e kemi thëne shumë herë, në veçanti në këtë kohë kur nuk vërehet ndihma apo dora e shtetit si në vende tjera. Po ashtu si mund të merren vendime të tilla për mbyllje pa dialog me biznesin, kur dihet mirë për kontributin e sektorit privat. Mbyllja nënkupton humbje të vendeve të punës, mbyllje të bizneseve dhe përkeqësim të situatës sociale tek qytetarët”.

Sipas tij nuk duhet të merren vendime të tilla pa dialog të mirëfilltë me sektorin privat dhe duke qëndruar ne kolltukë qeveritarë.

”Duhet menduar për alternativa unifikuese për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës me prioritet, por jo duke dëmtuar ekonominë, edhe ashtu të dëmtuar e të goditur nga pandemia”, thotë Gërxhaliu.

Kryeministri duke i shpjeguar masat e reja, të cilat kanë ngjallur zemërim në masë…

Ndërsa eksperti për çështje ekonomie, profesori universitar Musa Limani, konsideron se masat e parapara janë rigoroze dhe të dëmshme për bizneset.

“Nuk mund të paralizohet afarizmi biznesor. Masat duhet të jenë të atilla, që evitojnë përhapjen e pandemisë, në një anë, por ato nuk duhet të jenë në disfavor të bizneseve, në anën tjetër. Me këso masash, jemi duke e çuar ekonominë drejte kolapsit. Masat janë duke u marrë në mënyrë kabinetike. Marrjes së masave, duhet t’i paraprij një analizë empirike komplekse e ekonomisë sipas fushave, sektorëve dhe grupeve. Në bazë të saj duhet caktuar masat përkatëse sipas gjendjes dhe funksionit të sektorëve ekonomik. Janë të pa pranueshme marrja e masave ad hoc dhe në mënyrë parciale. Proceset ekonomike janë komplekse dhe si të tilla kërkojnë edhe zgjidhje komplekse e profesionale”, vuri në dukje Limani për Kosova.info.

Kryeministri Avdullah Hoti e arsyetoi vendimin me rekomandimet e institucioneve relevante që kujdesen për shëndetin publik.

Kryetari i AKB, Agim Shahini, tha se vendi po kalon një periudhë të rëndë ekonomike dhe shëndetësore ku Qeveria e ka për obligim të monitoron të gjitha masat dhe konform gjendjes të merr masa minimale të domosdoshme në mënyre që mos të bllokohemi si në pranverën e këtij viti ku dëmet e saj po i vuajmë edhe sot.

Shahini tha se:

“AKB i kërkoj Qeverisë së vendit në mungesë të fondeve për mbështetje të bizneseve dhe të pakos për rimëkëmbje ka forma tjera të mbështetjes siç janë shtyrja e pagesave, falja e ndëshkimeve dhe borxheve që qytetarët dhe bizneset i kanë ndaj shtetit. ATK i ka bllokuar shumë llogari bankare të bizneseve për shkak obligimeve ligjore që i kanë, dhe kjo po ju vështirëson operimin normal ku po shkurton rrugën drejt falimentimit të shpejt”.

Për nesër, me 13 nëntor, është paralajmëruar një protestë masive. Thirrjes nëpërmjet rrjeteve sociale, i janë përgjigjur shumë qytetarë.

Ashpërsimi i masave anti-covid e kanë shtyrë një grup qytetarësh, të cilët kanë bërë thirrje për protestë nëpërmjet rrjeteve sociale. Për rrjedhojë vendi mund të përjetojë një varg trazimesh të reja sociale. Qeveria ende nuk u ka dhënë përgjigje këtyre thirrjeve./Kosova.info/

Shfaq më shumë
//nessainy.net/4/3473483