OPINION

Masakra e Reçakut dhe reagimi gjerman

Shkruan: Sylë UKSHINI
Muaji dhjetor 1998 ia konfirmoi Misionit paqeruajtës të OSBE-së, i cili synonte të dokumentonte shkeljen e të drejtave të shqiptare dhe krimet e përditshme të shtetit serb, se kishte pak shpresa se mund të arrihej një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës. Për më tepër, në qendrat e vendosjes kishte filluar të qarkullonte informacioni se regjimi i Milosheviçit po përgatitjen për goditjen e fundit në Kosovë, për dëbimin masiv të shqiptarëve. Vetëm në javët e para të muajit dhjetor misioni i OSBE-së kishte evidentuar rreth 170 aksione të armatosura që kishte ndërmarrë Serbia kundër formacioneve shqiptare të UÇK-së dhe popullsisë civile. Po ashtu, më 14 dhjetor ushtria serbe vrau në pritë 41 ushtarë të UÇK-së në kufirin Shqipëri-Kosovë[1], ndërsa në qytetin e Pejës u vranë me armë zjarri gjashtë adoleshentë serbe në kafenenë “Panda”, që pas luftës u pohua edhe në Beograd se ishte vepër e shtetit serb, por që ishte bërë për qëllim fajësimi të shqiptarëve dhe me qëllim që të përdorej si fushatë represioni masiv ndaj civilëve shqiptarë.

Situatën në Kosovë po e ndiqte me vëmendje qeveria e re gjermane e koalicionit kuq-gjelbër, pasi eskalimi i mëtutjeshëm do të thoshte pjesëmarrje edhe të trupave të Bundeswehrit në një aksion ushtarak në Ballkan, një ndërmarrje e cila më pas do të konsiderohet si pikë kthese në zhvillimin e politikës së gjermane të jashtme dhe të sigurisë. Boni dhe kryeqytet tjera perëndimore e kishin tashmë të qartë se Marrëveshja e Hollbrookut po zhbëhej. Qeveria gjermane dënonte eskalimin e dhunës në Kosovë dhe kërkonte nga Serbia dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që të respektojë armëpushimin e nënshkruar në tetor.  “Ne kërkojmë nga të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjen për armëpushim dhe që Misionit Verifikues në Kosovës t’i mundësohet liri e pakufizuar e lëvizjes”, deklaronte për Reutersin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Martin Erdmann. Qeveria gjermane e kishte të qartë se situata në Kosovë por përkeqësohej në mënyrë dramatike. Në Bon ishte formësuar tashmë qëndrimi, sidomos pas takimit ndërmjet kancelarit Gerhard Shrëder dhe presidentit amerikan Bill Klinton, se vetëm një prani e fuqishme ushtarake ndërkombëtare në Kosovë mund të mundësonte një zgjidhje të qëndrueshme.  Ngjarjet e fundit në terren dëshmonin se pas përvojës poshtëruese të helmetkaltërtve të OKB-së në Bonsjë, vetëm një trup ushtarake e NATO-s mund të garantonte çfarëdo marrëveshje të paqes në Kosovë. Në të njëjtën kohë, Gjermania, qysh në kohën e qeverisë paraprake të Helmut Kohlit, në kuadër të Grupit të Kontaktit ishte angazhuar fuqishëm për një konference ndërkombëtare, njëlloj Dejtoni II. Në kohën kur diplomacia gjermane ishte afër realizimit të synimit të saj për një konferencë të tillë ndodhi masakre serbe në Reçak.

Biseda Fisher-Albriht për Reçakun

Më 15 dhe 16 janar 1999 Komisioni Verifikues i OSBE-s (KVM) nën drejtimin e amerikanit William Walker në fshatin Reçak, rreth 40 kilometra në jug të kryeqytetit të Kosovës gjeti 45 kufoma të shqiptarëve në rroba civile, të cilën ishin qëlluar me armë nga afërsia. Shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, William Walker, raportoi për një masakër që kishin kryer forcat e armatosura serbe. Lajmi për masakrën e Reçakut u përhap me shpejtësi në mediet ndërkombëtare. Në Bon akoma nuk dihej gjithçka me saktësi për atë çfarë kishte ndodhur në Reçak, por ekzistonte droja për një përkeqësim dramatik të situatës në Kosovë. “Gjatë ditës, në zyrë filluan të arrijnë lajmet për masakrën në Reçak dhe në media mund të shiheshin lajmet e tmerrit. E kishim menjëherë të qartë se ngjarja në Reçak do të ashpërsonte në mënyrë dramatike krizën në Kosovë. Nëse Milosheviçi nuk lëshonte pe, ne me këtë ditë do të bënim një hap të madh më afër luftës, isha i bindur unë. Në mbrëmje më kontaktoi qendra për situata e Ministrisë së Jashtme. Zonja Albright dëshironte të bisedonte me mua”, kujton ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman Joshka Fisher. Në këtë bisedë për ngjarjet në Reçak Fisher dhe Albright ishin rakorduar që për një reagim të ashpër të NATO-s dhe për një takim urgjent të Këshillit të NATO-s, qëndrim që e kishin mbështetur edhe ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe dhe të Francës,  Robin Cook dhe Hubert Vedrin. Sipas Fisherit, sekretarja amerikane Albright kishte përmendur tri kërkesa kryesore që duhej të përmbante deklaratat e NATO-s: që të respektohet kufiri i epërm për praninë e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, i cili ishte përcaktuar në marrëveshjen mes Holbrooke dhe Milosheviçit, kooperimi i plotë me Tribunalin në Hagë në lidhje me masakrën e Reçakut dhe përmbushjen e obligimeve të marra përsipër me marrëveshje, të cilat nuk ishin përmbushur ende.

“Ajo çfarë Milosheviçi bën është gjenocid”

Si në Bon ashtu edhe në qendrat tjera relevante ndërkombëtare, pos që shprehej një reagim i vendosur ndaj kësaj masakre serbe mbi civilët shqiptarë, të gjithëve kjo ngjarje ua kujtonte fushatën e spastrimit etnik dhe masakrat masive serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Ndikimet politike të kësaj ngjarje ishin të krahasueshme me masakrën e Srebenicës gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, poho studiuesi gjerman Günther Joetze.  Fischer nënvizonte se politika brutale e shtypje e serbëve kundër popullsisë shqiptare me shumicë në Kosovë, ishte një fakt i njohur. Ekzekutimet dhe vrasjet e civilëve ishin një “instrument i strategjisë serbe kundër kryengritjes në Kosovë, për ta detyruar popullsinë të merrte arratinë dhe për të pamundësuar kështu mbështetjen e UÇK-së. Jehona e masakrës së Reçakut në Gjermani i mundësoi ministrit të Jashtëm, Joschka Fischer, të ndiqte kursin e tij të ashpër politik ndaj Beogradit, përkundër qëndrimit refuzues të krahut pacifistë nga radhët e partisë së tij lidhur me një operacion të mundshëm ushtarak të NATO-s në Kosovë.  Edhe Fischer e pohon se masakra e Reçakut se ishte “pikë kthese” edhe për të.

Ludger Volmer, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme në Bon, i cili kishte shoqëruar karrierën politike të Joschka Fischer për një kohë të gjatë, rastin e Reçakut e konsideronte si moment vendimtar për mbështetjen aktive të gjelbërve gjerman për sulmin ushtarak të “diskutueshëm nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare”. Volmer ngjarjen e 15 janarit në Reçak, ekzekutimin e civilëve shqiptarë nga policia serbe, e shihte në kontekst me dëbimin dhe shfarosjen e planifikuar të popullsisë shqiptare të Kosovës nga regjimi serb në Beograd: “Ekzekutimi i civilëve shqiptarë nga ana e serbëve në janar në Reçak kërkon një reagim të qartë të Perëndimit. Të gjitha analizat dëshmojnë se në rast të mos reagimit serbët do të besonin se tani do ta kishin rrugën e lirë për politikën e tyre të dëbimin dhe të shfarosjes. Në sytë e politikës gjermane veprimet e Milosheviçi nuk dallonin shumë nga ato të Hitlerit. “Për mua është e qartë: ajo çfarë Milosheviçi bën, është gjenocid”. Deklarimet e zyrtarit gjerman konfirmonin pohimet e njohura të Milosheviçit, se ai është i gatshëm të shkelte edhe mbi kufoma, derisa Perëndimi nuk mund ta bënte këtë. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, më 17 janar 1999, konstatohej se përgjegjësit e masakrës së Reçakut, “duhet ta dinë se bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme të pranojë përndjekjen brutale dhe vrasjen e civilëve në Kosovë”. Volmer shihte shanset për paqe në Kosovë vetëm në rast se Milosheviçi do të vetëlargohej nga pushteti. “Në Ballkan nuk do të ketë qetësi për aq kohë sa nuk është goditur sistemi i pushtetit të Milosheviçit”, theksonte ai për “Deutschlandfund”, duke nënvizuar se “Milosheviçi është i njëjtë si Sadam Hyseini”. Edhe diplomati gjerman, Bernd Borchardt, i cili si ekspert i OSBE-së kishte hyrë në Reçak menjëherë pas masakrës serbe, theksonte: “Ajo që kam parë atje më ka tronditur thellë dhe do të më mbetet në kujtesën time derisa të jem gjallë. Jam absolutisht i sigurt se nuk kemi të bëjmë me kurrfarë inskenimi”. Gjithashtu, Boni zyrtar i bënte thirrje Beogradit që të bëhej e mundur një ndriçim i pavarur i ngjarjes në Reçak.

Në anën tjetër, autoritetet e Beogradit, si zakonisht, deklaronin se në Reçak UÇK e kishte sajuar një skenar masakre të rreme dhe në të njëjtën kohë provuan ta dëbonin nga Kosova shefin e Misionit të OSBE-së Walker. Gjithashtu, qeveria serbe nuk lejoi të hynte në Kosovë, kryetare e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavi, Louise Arbour. Me këtë pengesë autoritetet serbe vetëm sa konfirmonin se nuk dëshironin të zbardhin ngjarjen, por përkundrazi të fshihnin gjurmët e krimit. Në këtë pikë Beogradi këmbëngulte se mandati i Tribunalit të Hagë nuk shtrihej edhe për territorin e Kosovës.

Pavarësisht masakrës së Reçaku, ministri i Jashtëm gjerman Fischer edhe më tej favorizonte një zgjidhje politike për Kosovën dhe mbështeste një bombardim të menjëhershëm të caqeve ushtarake serbe. Ashtu si Fischer, edhe ministri i gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, masakrën në Reçak e vlerësoi si një ngjarje vendimtare për mobilizim të shteteve anëtare të NATO-s në luftën e Kosovës.  Scharping, më një fjalim shumë emocional në Bundestag, mbronte qëndrimin për domosdoshmërinë e vendimit për luftë dhe mbi këtë premisë së bashku me Fischerin favorizonin pjesëmarrjen për të parë edhe të trupave ushtarake gjermane në një luftë jashtë territorit të Aleancës. Tri ditë pas masakrës në Reçak Madeleine Albright, ministrja e Jashtme amerikane, në Shtëpinë e Bardhë u propozoi dy gjeneralëve të NATO-s, Ëesley Clark dhe Klaus Naumann, që Beogradi të kërcënohej me sulme konkrete ajrore. Plani i saj për herë të parë parashihte që të detyrohej Milosheviçi që të pranonte stacionimin e trupave të NATO-s në, të cilat do të mbikëqyrnin tërheqjen e ushtrisë “jugosllave” dhe etablimin e një autonomie në Kosovë.  Me 19 janar 1999 dy emisar ushtarak të NATO-s për krizën e Kosovës, gjenerali gjerman Klaus Nauman dhe amerikan Wesly Clark biseduam pa ndonjë rezultat me Milosheviçin. Prandaj, NATO-ja e shkurtoi në dy ditë kohën e reagimet me sulme ajrore kundër Serbisë.

Ultimatumi dhe idetë për konferencë paqeje

Kosova dhe nevoja e arritjes së një zgjidhje u bë pjesë e agjendës së kabinetit qeveritar gjerman kuq-gjelbër edhe me 20 janar, në këtë takim Fischer dhe Scharping raportuan për zhvillimet në Kosovë pas masakrës së Reçakut, si dhe për qëndrimet në BE dhe në NATO lidhur me këto zhvillime. Ishte shumë e dukshme se Reçaku e ndryshoi atmosferën e brendshme politike në Gjermani në favor të përkrahësve të intervenimit ushtarak, veçanërisht brenda koalicionit të qendrës së majtë kuq-gjelbër. Por, në Bon akoma ekzistonin rezerva për opsionin ushtarak. Pozicioni hezitues i qeverisë gjermane ishte i dukshëm edhe në deklaratën e kancelarit Gerhard Schröder, i cili favorizonte një zgjidhje politike dhe njëkohësisht vinte në dukje se asnjë opsion nuk do të hiqet nga tavolina. Me këtë pozicion qeveria gjermane nuk mbeti e vetme si brenda BE-së ashtu edhe NATO-s. Derisa qeveria amerikane dhe britanike tregonin gatishmëri për goditje ushtarake, qeveria federale në Bon nuk dha një vendim të prerë, por sinjalizoi se shteti gjerman nuk do të qëndronte anash një operacioni ushtarak. Në këtë kuadër Fischer riaktualizoi idenë e ultimatumit ndaj Milosheviçit të tetorit 1998. Në përputhje me rrethanat e krijuara duhej të ushtrohej jo vetëm politika e ultimatumeve, por para së gjithash realizimi i presionit maksimal politik ndaj Beogradit. Krahas presionit politik ndaj Beogradi për përmbushjen pa kushte Marrëveshjen Holbrook-Milosheviç, Ministria e Jashtme në Bon e shtyri përpara edhe idenë e një konference të paqes sipas modelit të Dejtonit, por në të njëjtën kohë insistonte që të mbahej në fuqi Activation Order.  Schröder, Fischer dhe Scharping u ndjen të shtrënguar për t’i diskutuar “predispozitat nacionale” për rinovimin e ACTORD. Drejtuesit kryesor të koalicionit kuq-gjelbër bënë përpjekje të fuqishme mediale për t’ia bërë të qartë publikut gjerman se ngjarja e Reçakut e bënte të pashmangshme konsideratën për një operacion ushtarak kundër politikës represive të Beogradit në Kosovë. Por, në mesin e aleatëve evropianë të NATO-s ishte e diskutueshme çështja e kornizës institucionale të përshtatshme. Derisa Franca ishte që çështja e vendimmarrjes për fillimin e sulmeve ajrore kundër caqeve ushtarake serbe t’i kalonte Grupit të Kontaktit, Gjermania dhe shumica e vendeve të NATO-s refuzonte një propozim të tillë.

Procesi i paqes tani do të fitonte një shans të fundit, pas së cilës Kosova do të fitonte një status autonom në kuadër të Jugosllavisë së mbetur, ose përpjekjet për zgjidhje politike do të merrnin fund. Dukej sikur lufta po bëhej e pashmangshme. Pasi Gjermania mbante presidencën e radhës të BE-së gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, Wolfgang Petritsch, përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, kishte shkuar në Bon për diskutime me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë gjermane.  Edhe kryeministri britanik Tony Blair në një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Gerhard Schröder u përpoq të merrte konfirmimin e gjermanëve para se Clinton të bënte në deklaratë publike në CNN lidhur me angazhimin ushtarak në Kosovë. Gjermanët edhe më tej ishin në dilemë, ata nuk luanin ndonjë rol iniciues dhe as ndonjë ndikim të madh në vendimin e Aleancës. Schröder u përgjigj publikisht në pyetjen nëse trupat gjermane tokësore mund të angazhoheshin në zonat konfliktuoze: “Ne veprojmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, por sa i përket kësaj nuk mund të përjashtohet asgjë.”

Në ndërkohë, edhe Këshilli i Aleancës Veriatlantike e shqyrtoi çështjen e një ultimatumi ndaj udhëheqjes serbe. Derisa pozicioni i Washingtonit u mbështet nga disa vende anëtare të Aleancës, Gjermania ashtu si edhe Franca u shpreh më tepër në favor të një paralajmërimi, meqë një ultimatum do të shihej si një barrë për përpjekjet ndërmjetësuese të Grupit të Kontaktit. Njëkohësisht Gjermania ishte në kërkim një propozim konkret për një konferencë të paqes për Kosovën, duke dashur kështu që edhe para publikut të brendshëm të rikonfirmonte angazhimin e saj shterues në kërkim të një zgjidhje politike. Përveç kësaj, Fischeri dhe Ministria e Jashtme në Bon angazhoheshin për përfshirjen e Rusisë në procesin politik. Veç tjerash, qeveria gjermane ishte për një kombinim të presionit ushtarak me një diplomaci të koncentruar në reagimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj ngjarjes së Reçakut. Boni e mbështeste një ide të tillë dhe luante një rol të rëndësishëm ndërmjetësues ndërmjet pozicioneve të ndryshme të Francës, Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Po kështu, pala gjermane angazhohej për një strategji politike koherente ndërmjet NATO-s dhe Grupit të Kontaktit. Kështu shtetet e Grupit të Kontaktit përfundimisht me 29 janar 1999, në Londër, u pajtuan për thirrjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e dy palëve në konflikt në Kështjellën e Ramboullet-it, në afërsi të Parisit.  Është e qartë se masakra e Reçakut, ashtu siç pohon edhe ish-emisar special i BE-së për Kosovë, Wolfgang Petritsch, në një intervistë për gazetën vjeneze “Kurier” nuk ka çuar drejt luftës, por drejt negociatave në Rambouillet, por pas dështimit të të cilave pasoi edhe intervenimi i NATO-s.  Nga perspektiva gjermane Rambouillet do të thoshte përpjekja e fundit për të evituar një eskalimin ushtarak të radhës, edhe pse Boni zyrtar nuk ishte shumë optimist për shanset e suksesit të një konference të tillë. Sidoqoftë, qeveria gjermane insistoi që nga fillimi nuk mund të ndodhte me automatizëm angazhimi ushtarak dhe në të njëjtën kohë hidhte poshtë ashpërsimin e Activition Order, për aq kohë sa Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s i ishin dhënë kompetencat për marrjen e vendimit për sulet ajrore.

“Kurrë më gjenocid, kurrë më Auschwitz”

Ndonëse nuk kishte asnjë dyshim mbi politikën shtypëse të Milosheviçit në Kosovë që nga viti 1989, një ngjarje e tillë si në Reçak ndikoi në mënyrë kohezive në përshpejtimin e angazhimit më intensiv të politikës ndërkombëtare për Kosovën.  Në këtë kuadër, për koalicionin gjerman të qendrës së majtë kuq-gjelbër ngjarjet e tilla duhej të përballeshin ose me mbështetjen intervenimit ushtarak të NATO-s si ultima ratio ose të ndiqej parimi “zivilmacht” dhe kultura ngurruese. Në fund, përkundër dallimeve brenda grupit të pacifistëve në radhët e të gjelbërve, politikanët e koalicionit kuq-gjelbër, veçanërisht pasi ishin shteruar të gjitha mjetet politike, ishin të bindur për domosdoshmërinë e angazhimit ushtarak të Gjermanisë në luftën e Kosovës si instrument më kredibil për t’i dhënë fund krimeve dhe “katastrofës humanitare”, që e kishte shkaktuar politika agresive e Milosheviçit. Dy parimet themelore, “Kurrë më luftë” dhe “Kurrë më gjenocid, kurrë më Auschwitz” shiheshin si obligim dhe detyrim nga historia më e re gjermane.

Nën jehonin e ngjarjes së Reçakut, Grupi i Kontaktit për Kosovën shtoi presionin ndaj palëve në konflikt. Krahas diskutimeve për opsionet e intervenimit ushtarak, më 29 janar 1999 ministrat e jashtëm të gjashtë shteteve të Grupit të Kontaktit u takuan në Londër, ku u bënë thirrje shqiptarëve të Kosovës dhe qeverisë së Beogradit që brenda tri javësh të arrihej një zgjidhje për çështjen e Kosovës përmes negociatave në një konferencë ndërkombëtare. Palët ishin ftuar në mënyrë ultimative që të takoheshin më 6 shkurt 1999 në Rambouillet, Paris, dhe aty të zhvillonin bisedimet e paqes. Ndërkohë, diplomati gjerman Axel Dittman së bashku me të Ngarkuarin e Posaçëm të BE-së, Wolfgang Petritsch dhe Jan Kickert, vetëm pak ditë pas masakrës së Reçakut përgatitën një katalog parimesh, të cilat do të përbënin bazën për bisedimet e përshpejtuara dhe do t’i udhëhiqnin palët drejt një kompromisi. Në Bon, ashtu si në Uashington, ekzistonte skepticizëm lidhur me gjasat për arritjen e një zgjidhje të shpejtë politike për krizën e Kosovës. Kjo sikur konfirmohet edhe nga masakra serbe e 29 janarit mbi shqiptarët e Rogovës së Hasit, ku u ekzekutuan 25 shqiptarë, shumica syresh pjesëtarë të UÇK-së. “Koha Ditore”

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483