Kombëtare

Masakra e Gjakovës një prej krimeve më mizore, 20 fëmijë e gra u dogjën në natën mes 1 e 2 prillit

“Kurrë Zoti ata mos i gëzoftë. Për ata lutem çdo ditë e çdo natë që çdo e keqe raftë mbi atë tokë, atë tokë të shkretë”.

Ky është mallkimi që do t’i përcjellë gjatë ata që ekzekutuan dhe vranë 20 fëmijë e gra brenda një shtëpie më 1 dhe 2 prill të ‘99-s në Gjakovë.

Në masakrën, e cila konsiderohet si më mizorja në Gjakovë, Albina Hoxha Bakija humbi 8 anëtarë të familjes.

Fëmijë nga mosha 1 vjeç e gjysmë, si dhe gra, fillimisht ishin ekzekutuar, e më pas djegur brenda një shtëpie nga forcat serbe, raporton KTV.

Sot, 20 vjet pas, nuk ekziston asnjë gjurmë e krimit përreth vendit ku ndodhi masakra.

Për familjen Hoxha kjo konsiderohet si vrasje e dyfishtë.

Pas shumë vite të dëshmive të dhëna në Tribunalin e Hagës, Hani Hoxha muaj më parë ka dhënë dëshmi edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ndonëse këto hetime konsiderohen si tejet të vonuara për familjen Hoxha ende ka shpresë se ata që kryen krimet, do të dalin para drejtësisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës së fundi ka nisur hetime për krimet e luftës në rajonin e Gjakovës.

“Departamenti për krimet e luftës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që ka marrë në kompetencë të gjitha lëndët e krimeve të luftës, ka filluar të merret me këto lëndë, si dhe ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore për raste të shumta për krimet e luftës, të trashëguara nga misioni i EULEX-it, si dhe sipas kallëzimeve penale të pranuara pas transferimit të kompetencave te Prokuroria vendore, duke përfshirë edhe krimet e luftës që kanë ndodhur në Gjakovë”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Përmes një përgjigje me shkrim, kjo Prokurori ka konfirmuar se Departamenti për krimet e luftës i Prokurorisë Speciale, pasi ka marrë në kompetencë të gjitha lëndët e krimeve të luftës, ka nisur hetimet për rastet e të shumta për krime lufte, të trashëguara nga misioni i EULEX-it, përfshirë këtu edhe ato që kanë ndodhur në Gjakovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.