Bota

Marrëveshje armësh me SHBA dhe Rusinë/ Trump thirrje Kinës të përfshihet në diskutimet e ardhshme

Presidenti i SHBA Donald Trump theksoi dëshirën e tij për kontrollin e armëve që përfshin si Rusinë edhe Kinën.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, ai i bëri komentet në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin të enjten, raporton VOA.

“Presidenti Trump riafirmoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një kontroll efektiv të armëve që përfshin jo vetëm Rusinë, por edhe Kinën dhe është në pritje të diskutimeve të ardhshme për të shmangur një garë të kushtueshme armatimesh,” tha Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Trump ka argumentuar vazhdimisht – deri tani pa asnjë dobi – që Kina duhet të marrë pjesë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në bisedime për një marrëveshje për kontrollin e armëve që do të zëvendësonte traktatin e ri START të vitit 2010 midis Uashingtonit dhe Moskës, i cili skadon në shkurt.

Ky traktat përcakton se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të dislokojnë jo më shumë se 1.550 mbushje bërthamore secila, niveli më i ulët në disa dekada, si dhe kufizon numrin e raketave me bazë tokësore dhe detare si dhe të bombarduesve që i lëshojnë ato.

Kina, e cila vlerësohet të ketë rreth 300 armë bërthamore, e ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur propozimin e Presidentit Trump, duke argumentuar se forca e saj bërthamore ka karakter mbrojtës dhe nuk paraqet asnjë kërcënim.

Gjatë telefonatës, e cila vjen në 75 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, u fol gjithashtu mbi punën për të mposhtur koronavirusin si dhe për çështje të tjera, tha Shtëpia e Bardhë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë çdo vend që lufton sëmundjen, përfshirë Rusinë.

Në deklaratën e vet, Kremlini tha “nga pala amerikane u propozua për të dërguar në Rusi një ngarkesë me pajisje mjekësore”, por nuk dha hollësi të tjera.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.