Kosova

Marrëveshja në prag: Kjo është pika e vetme që ndan VV-në me LDK-në

Dje u raportua se Vetëvendosje i kishte ofruar LDK-së së Isa Mustafës një ministri, duke i dhënë mundësinë të zgjedhte mes pesë ministrive të saj, në këmbim të pozitës së kryeparlamentarit të cilën e mori më 26 dhjetor.

Glauk Konjufca është kryetar kuvendi tash e 17 ditë. Por, partia e tij po lufton që ta mbajë në këtë detyrë edhe pas arritjes së marrëveshjes qeverisëse me LDK-në.

Në këmbim, z.Kurti i ka ofruar LDK-së një ministri, duke e bërë ‘kurban’ në këtë formë secilin prej ministrave që propozoi para një jave.

Nga kjo del se Kurti ka bërë një gabim të tmerrshëm kur ka treguar emrat e ministrave, pasi që në një formë e në një shkallë do t’i dëmtojë reputacionin emrave të tij për ministra.

Një tjetër gabim i tmerrshëm ishte edhe vendosja e Konjufcës në krye të Kuvendit.

“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave” – kishte thënë në një video-adresim z.Kurti

Mes Konjufcës dhe Blerim Rekës, Rozeta Hajdarit, Albulena Haxhiut, Besnik Bislimit dhe Arben Vitisë, Kurti dhe Vetëvendosje kanë zgjedhur me të drejtë z.Konjufca i cili në zgjedhjet e fundit i fitoi mbi 76 mijë vota.

Dorëheqja e z.Konjufca do të ishte mjaft e dhimbshme për vetë Konjufcën dhe zgjedhësit e tij, por edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërkohë, nëse LDK do të pranonte ofertën atëherë do të kishte në dorë ‘djegien’ e njërit prej pesë ministrave të lartpërmendur duke shkaktuar potencialisht pakënaqësi në Vetëvendosje.

“Duan kryeparlamentarin [LDK] si shkëmbim për presidentin që nuk duhet ta kenë.” – shkroi më herët në Facebook-un e tij, z.Elvis Hoxha, një profesor universitar nga Tirana që është edhe anëtar i Vetëvendosjes.

Pra, LDK dhe Vetëvendosje janë fare pranë marrëveshjes aktualisht dhe e vetmja çështje që i ndan është ajo e kryetarit të Kuvendit, e cila kërkohet me ngulm nga partia e z.Mustafa i cili në këtë formë kërkon të respektojë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit ku dolën vetëm 1,5 për qind poshtë partisë së parë, Vetëvendosjes.

Është e vështirë të besohet që LDK do të heqë dorë nga pozita e kryetarit të Kuvendit duke pranuar vetëm një ministri në këmbim, ndërkohë që Vetëvendosje është më e mundshme që të lëshojë pe.

Në rast se arrihet marrëveshja aktuale, atëherë kjo do të jetë ndarja e përgjegjësive institucionale:

VV: Kryeministri [Albin Kurti], Zv.kryeministri i dytë [Haki Abazi], Ministri i Financave dhe Transfereve [Besnik Bislimi], Ministri i Shëndetësisë dhe Sporteve [Arben Vitia], Ministrja e Drejtësisë [Albulena Haxhiu], Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë [Rozeta Hajdari] dhe Ministri i Punëve të Jashtme [Blerim Reka], plus të paktën 10 zëvendësministra.

LDK: Kryetari/ja i/e Kuvendit [?], zv.kryeministri/ja i/e parë [?}, Ministri/ja i/e Infrastrukturës, Ministri/ja i/e Punëve të Brendshme [?], Ministri/ja i/e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Kulturës dhe Rinisë [?], dhe dy ministri të tjera, plus të paktën 10 zëvendësministra.

Ndërkohë që numri i zëvendësministrave pritet të jetë të paktën 24, pasi Kurti ka premtuar “të paktën” 10 zëvendësministra nga partia e tij, duke lënë të hapur mundësinë për më shumë emra të tillë. Kjo do të nënkuptonte po aq zëvendësministra edhe nga LDK-ja, si dhe nga partitë e pakicave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.