Rajoni

Maqedonia pret rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave

Maqedonia pret raport pozitiv nga Komisioni Evropian, apo rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Raporti, siç bëhet e ditur jozyrtarisht, përshëndet përkushtimin dhe vullnetin politik për përmbushjen e kritereve dhe përparimin e vendit drejt procesit eurointegures, por gjithashtu tërheq vërejtjet mbi “pasojat nga e kaluara e të cilat nuk mund të zgjidhen brenda natës”.

Raporti do të japë vlerësime pozitive për hapat që janë bërë për kapërcimin e krizës politike dhe realizimin e reformave strukturore, që siç thuhet, është një proces që edhe mund të zgjasë.

Optimizmin për marrjen e raportit pozitiv e ka shprehur edhe kryeministri, Zoran Zaev duke theksuar përkushtimin e kabinetit të tij për zbatimin e reformave.

“Maqedonia meriton rekomandim të pastër. Megjithatë, me rëndësi është fjalori që përdoret pasi për ne që do të thotë inkurajim apo dekurajim. Në gjë e tillë është e rëndësishme edhe për ne edhe për qytetarët, për të gjithë që janë të përfshirë në procesin e reformave edhe pas rekomandimit ne do të vazhdojmë me reformat”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Një ditë pas publikimit të raportit në Shkup pritet të arrijnë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn. Mogherini do të ketë edhe një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë lidhur me punën e institucioneve, por edhe angazhimet në të ardhmen.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se Maqedoninë e pret një punë edhe më e madhe pas marrjes së raportit pozitiv, në veçanti për ato në drejtësi dhe të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Si rezultat i përparimit të arritur, Komisioni Evropian do të rekomandojë hapjen e bisedimeve me Maqedoninë për anëtarësim. Thellimi i kursit të deritanishëm për reformat urgjente prioritare do të jetë vendimtar për përparimin e ardhshëm të vendit. Që të mbështetet kjo, Komisioni Evropian do të përforcojë qasjen për bisedimet kryesisht lidhur me kapitujt që kanë të bëjnë me gjyqësinë, të drejtat fundamentale, lirinë dhe sigurinë e vendit. Këto vlerësoj se do të jenë pjesë e konkluzioneve të Komisionit Evropian, i cili kthen rekomandimin e pakushtëzuar për nisjen e bisedimeve”, thotë Bojan Mariçiq, njohës i çështjeve evropiane.

Maqedonia statusin e shtetit kandidat e ka marrë në vitin 2005, ndërsa rekomandimin e parë për nisjen e bisedimeve në vitin 2009. Në dy vjetët e fundit, për shkak të krizës politike ajo ka marrë dy rekomandime të kushtëzuara, për gjendjen e rëndë në gjyqësor, parregullsitë në proceset zgjedhore, presionet ndaj mediave si dhe ngecjen e reformave në sfera tjera.

Çështja e emrit me Greqinë është një pengesë tjera që pengon procesin e integrimit në NATO dhe BE. Pavarësisht këtij kontesti, pa zgjidhjen e të cilit nuk mund të arrihet integrimi në këto organizata, kryeministri Zoran Zaev ka thënë se Qeveria që ai drejton do të vazhdojë me kursin e reformave.