SPORT

Maqedonia e Veriut praktikisht e eliminuar, Ukraina fiton 2-1

Në “National Arena” të Bukureshtit, Maqedonia e Veriut mund të themi që mbyll çdo shans për të avancuar më tej në Kampionatin Europian. Skuadra e Angelovskit, me 4 shqiptarë titullarë në formacion paguan një pjesë të parë shumë dobët teksa u mund me rezultat final 2-1 nga Ukraina. Pas dy ndeshjeve dhe asnjë pike të grumbulluar, fqinjët tanë do të luajnë me shumë mundësi ndeshjen e tretë vetëm për statistikë.

Maqedonia goditet që në fillim në pjesën e parë me dy gola të shpejtë nga Yarmolenko në 29’ dheYaremchuk në 34’, ata që shënuan edhe ndaj Holandës, duke mbyllur praktikisht ndeshjen dhe duke i dhënë një goditje kundërshtarit.

Në pjesën e dytë, Maqedonia shton presionin dhe krijon disa raste për të shkurtuar diferencën që e arrin në 57’ me golin e parë shqiptar nga Ezgjan Alioski i cili humbet penalltinë por aty me topin e kthyer gjuan dhe shënon.

Ukraina zgjohet për t’u mbrojtur më mirë teksa në 84’ ka mundësi për të mbyllur ndeshjen me një penallti nga Malinovski të cilën e pret portiere Dimitrieski.

Edhe pse përpiqet shumë, Maqedonia e Veriut nuk arrin të bëjë më shumë dhe ndeshja mbyllet 2-1, rezultat që i jep shanse Ukrainës për të ecur më tej e ballkanasit janë me një këmbë jashtë Europianit.