KULTURË

MANIFESTIMI SHKENCOR E MULTIKULTUROR “TAKIMET E DOM MIKELIT”

Autor: Sarë Gjergji


Kishte shumë arsye për organizmin dhe mbajtjen e një manifestimi shkencor, letrar e kulturor, i cili do prekte anë të ndryshme të fushave të shumta të shkencës, artit, letërsisë, shkollës-arsimit, kulturës, por edhe të politikës e të vetë jetës në Kosovë.

Me rrënimin e autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, pushteti serb dha sinjalin më bindës për zhbërjen e Kosovës. Dhe rrënimi i autonomisë nuk nënkuptonte vetëm zhveshjen e shqiptarëve nga pushteti, por ajo prekte të gjitha institucionet, shtrihej në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, duke përfshirë këtu edhe arsimin, shëndetësinë, kulturën… Të zhveshur kështu deri në palcë, njeriu sikur humb kuptimin e të jetuarit, humb dhe dinjitetin e tij.

Manifestimin “Takimet e dom Mikelit”, është vështirë ta quash vetëm manifestim shkencor, letrar e kulturor. Është më shumë se kaq, po patëm parasysh gjithë botën që manifestonte dhe mesazhin që transmetonte; është një sistem i tërë i një filozofie të re të injorimit të pushtetit të pushtuesit, i vetëdijesimit dhe i bashkimit të popullit dhe mbrojtjes përmes formave demokratike e më të avancuara, është një sistem vlerash që sforconte ndjenjën dhe përkushtimin për kulturën, shkollën, arsimin.

E ngritur kështu në shkallën e një sistemi, ky manifestim mbledh njerëz të shtresave, kategorive e profesioneve më të ndryshme dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova Lindore.

Për me se një dekadë (para lufte) ky manifestim ka qenë për njeriun tonë shprehje e dijes, e moralit, e urtësisë, e kujtesës kombëtare, ka qenë arkivi, kronika e historia e jetës së tij, mesazhi i qartë për vendosmërinë dhe synimet e popullit tonë, ka qenë vetë shpirti ynë. Ndonëse nën kërcënimin e tankeve të pushtuesit dhe përkundër shumë arrestimeve të organizatorëve të këtij manifestimi (më 1990), ky manifestim nuk druhej e as tërhiqej përpara kësaj makinerie. Për më tepër, manifestimi jepte përgjigje të qartë përballë problemeve politike, sociale e historike dhe si rrjedhim pati bashkimin e shqiptarëve rreth një kauze drejt realizimit të synimeve tona dhe mirë e mirë propagandonte e trasonte rrugën e drejtë që duhej të bënte Kosova. Shih për këtë, manifestimi, si të thuash, konceptonte jetën (shqiptare) në kundërshtim të plotë me shoqërinë zyrtare, pushtetin e pushtuesin serb. I gjendur kështu, në situatën e mospajtimit, manifestimi “Takimet e dom Mikelit”, polemizonte në mënyrë të shkëlqyeshme, përmes artit, kulturës e shkencës, me klasën pushtuese, duke sinjalizuar njëkohësisht edhe dritën në fund të tunelit. Dhe jo vetëm kaq. Manifestimi mbante një qëndrim aktiv e shumë kritik ndaj realitetit dhe asaj që kishte ndodhur, është prezent në zhvillimin e ngjarjeve dhe, duke vepruar si një organizëm i gjallë, ky manifestim u kthye në një institucion organizues të mendësisë kosovare.

Akademia shkencore, në kuadër të së cilës trajtoheshin tema të ndryshme historike, filozofike, etnografike, sociale, letrare, politike e çka jo tjetër, arti poetik, figurativ e skenik, kënga dhe mesha e shenjtë, ishin vlerësimi dhe shqyrtimi më i lartë i realitetit të kohës dhe i gjendjes së përgjithshme në Kosovë, një kronikë e llojit të vet, një protokoll i vetë popullit, një laborator ku zienin revolta e papërmbajtur e synimi për të ardhmen… Të përkujtomë se pikërisht në këtë manifestim, në shtator 1990, publikisht u këndua për Kosovën Republikë, ose thënë më mirë, ajo u promovua para masës së gjerë (prej mijëra vetash), edhe pse, siç e theksuam gjetkë, pjesëmarrësit e manifestimit, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, në oborrin e Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe, ishin rrethuar nga makineria policore e ushtarake serbe.  

qershija 2

 Forcat serbe, në kohën sa po mbahej manifestimi më 1990, në trupin e kësaj qershie, para shtëpisë së Leon D.Gjergjit (foto: Jehona Gjergj, 2016), pranë Muzeut, gdhendën kryqin me  katër s-të (C) e tyre (foto : Franë Gjergji, 1990)

          “Takimet e dom Mikelit” me gjithë dinamikën e saj brenda kohës dhe hapësirës, duke ligjëruar identitetin kombëtar (edhe në raport me të tjerët), do të dëshmojë se forca e kulturës është e pakontestueshme, e pathyeshme, që nuk njeh kthim prapa. Këto takime edhe pas luftës sonë çlirimtare, vazhdojnë të provojnë nevojën e funksionimit dhe forcën e shkencës, artit, kulturës, politikës parimore, të dijes në përgjithësi, për ndikimin që ushtron në natyrën dhe edukimin e qenies sonë.

          Të mos harrojmë se në këtë manifestim marrin pjesë figura e personalitete të shquara të shkencës, artit e të kulturës nga hapësira mbarëkombëtare (e me gjerë), duke krijuar në njëfarë forme edhe një model të ri të një konkurrence të heshtur në fushë të dijes. Vetë fakti se kemi një numër të madh ligjëruesish për fusha të ndryshme të shkencës (në Akademinë shkencore), një numër të madh të krijuesve, poetëve (në Orën e Madhe Letrare), shumë artistë të tjerë të artit pamor e skenik, është një dëshmi e mjaftueshme se ku qëndron niveli i këtij manifestimi dhe ku konsiston rëndësia e tij. 

          Seriozitetin e këtij manifestimi e shton edhe më botimi i revistës shkencore “ACADEMIA STUBLLAE”, organ i Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, Stubëll, 1584-1905 dhe i Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”, ku përfshihen kumtesat shkencore dhe aktiviteti tjetër i manifestimit, pa harruar këtu edhe publicitetin që i japin mediat e shkruara dhe elektronike, madje, këto të fundit, edhe me programe dokumentare mbi manifestimin dhe Shkollën e Parë Shqipe.